Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM
Liderët kundërshtues të Shqipërisë dhe Kosovës heshtazi e “harrojnë” përvjetorin e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare
Kalimi në heshtje në korrik i dhjetëvjetorit të mbledhjeve ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës spikat nivelin më të ulët historik të marrëdhënieve – ama mbetet e diskutueshme se kush e ka fajin për çarjen.
Shqipëria dhe Kosova kishin planifikuar që më 14 qershor ta mbanin mbledhjen e tyre të përbashkët qeveritare në qytetin kufitar të Kosovës, Gjakovë.
Agjenda përfshinte nënshkrimin e disa marrëveshje të reja dypalëshe në sektorë të ndryshëm. Gjatë tre muajve para takimit, institucionet e dy vendeve kishin punuar palodhshëm për të finalizuar këto marrëveshje, duke u siguruar që të ishin gati për nënshkrimin ceremonial.
Mbledhjet e përbashkëta ndërmjet dy vendeve, të cilat kanë kombësinë e njëjtë, nisën në janar 2014, kur Edi Rama porsa ishte zgjedhur kryeministër i ri i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi ishte lider i Qeverisë së Kosovës.
Prizreni, gjithashtu një tjetër qytet kufitar, ishte zgjedhur për rëndësinë e tij simbolike, meqë përfaqësonte përpjekjet historike të shqiptarëve për bashkim që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë.
Megjithatë, mbledhja e parë e përbashkët shkoi përtej simbolizmit, dhe aty u nënshkrua një deklaratë e partneritetit strategjik.
Mbledhjet e përbashkëta pastaj u kthyen në një traditë të përvitshme, me secilën prej tyre të dalluar për nënshkrimin e marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve që synonin praktikisht bashkimin e sektorëve ekonomikë, socialë dhe kulturorë ndërmjet dy vendeve.
Tradita e kahershme pritej se të vazhdonte edhe më 2023. Në Gjakovë, qilimi i kuq ishte shtruar dhe ishte vendosur mbishkrimin sipër banerit të kokës dykrenore, në të cilin shkruante “Të bashkuar në Gjakovë”.
Megjithatë, një ditë para ngjarjes, më 13 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, befas njoftoi – njëanshëm – se nuk do të mbahej mbledhja e përbashkët.
Rama përmendi marrëdhëniet e acaruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, të përshkallëzuara prej tensioneve në veri të Kosovë, si arsyetim.
Në vend të samitit të planifikuar, Rama propozoi një takim urgjent në Gjakovë të kufizuar ndërmjet ministrave të Mbrojtjes të dy vendeve.
Kjo ofertë menjëherë do të hidhej poshtë nga kryeministri i Kosovës, Kurti.
Prej kohës së anulimit, nuk është rishqyrtuar asnjë orar i azhurnuar i mbledhjeve qeveritare, madje as më 2024 kur bëhen dhjetë vjet prej fillimit të kësaj tradite.
Një përvjetor i rëndësishëm po kalon në heshtje, pa asnjë ceremoni a përmendje.
Kush e ka fajin?
Megjithëse asnjë mbledhje e ardhshme nuk është paraparë për sivjet, edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe ai i Kosovës refuzojnë ta pranojnë se ka marrë fund njëherë përgjithmonë mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta.
Një zëdhënëse e Ramës ia ka kujtuar BIRN-it se që nga viti 2014, tetë mbledhje të përbashkëta janë mbajtur ndërmjet dy qeverive, duke spikatur se “shpeshtia e këtyre takimeve nuk është e paracaktuar nga palët, andaj nuk mund të konsiderohet se ka suspendim të takimeve”.
Një zëdhënës i Kurtit i ka thënë BIRN-it se planet për mbledhjen e ardhshme të përbashkët ndërmjet dy qeverive janë vështirësuar prej përgatitjeve të Kosovës për zgjedhjet e fillimvitit të ardhshëm. “Pas zgjedhjeve dhe krijimit të qeverisë së re (në Kosovë), ne mund të diskutojmë marrëveshjet e reja dhe gjithashtu të organizojmë mbledhjen e dhjetë jubilare ndërmjet dy qeverive”, ka theksuar ai.
Sidoqoftë, shumëkush beson se anulimi i mbledhjeve të përbashkëta qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk është befasi, duke pasur parasysh marrëdhënien e acaruar ndërmjet Edi Ramës dhe Albin Kurtit.
Analistët në dy vende nuk janë gjithashtu optimistë se tradita do të ringjallet, duke vlerësuar se përplasjet e tyre po bëhen gjithnjë e më të zorshme për t’u tejkaluar.
Por, derisa të gjithë pajtohen se këto përplasje kanë ndikuar bashkëpunimin ndërqeveritar, kanë mendime të ndryshme se kush e ka fajin për këtë punë.
Disa syresh e shohin dëshirën e Ramës për ta pozicionuar veten si “aktor dhe ndërmjetës të pavarur” me Qeverinë e Kosovë si pengesën kryesore.
Disa ditë para mbledhjes së planifikuar në Gjakovë, presioni ndërkombëtar ndaj Kurtit ishte intensifikuar, derisa do të shpërthenin protestat serbe në veri të Kosovës si reagim ndaj instalimit të kryetarëve të rinj shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale, të cilat i bojkotuan shumica e serbëve.
Në përpjekje për të ndërmjetësuar, Rama ua propozoi presidentit Macron të Francës dhe kacelarit Scholz të Gjermanisë një statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të planifikuar – por të kontestuar fort – në Kosovë.
Rama pretendoi se ekspertët amerikanë dhe europianë ishin konsultuar për draftin, që do të mund të ndihmonte zgjidhjen e tensionit.
Megjithatë, Kosova nuk pranoi as ta diskutonte propozimin, duke ia prerë rrugën që të trajtohej tutje.
Besnik Krasniqi, gazetar në Kosovë, ka thënë se anulimi i njëanshëm i mbledhjes nga Rama në qershor 2023, la shije të hidhur në Kosovë.
Ai thotë se Kurti kërkoi justifikueshëm rikthimin e sovranitetit të Kosovës në veri, dhe se Rama kishte shkaktuar pakënaqësi të fortë duke “sanksionuar” qartazi Kosovën kur anuloi mbledhjen.
“Situata është e pashpresë. Rama e ka bërë të qartë se qëndrimi i tij kundrejt Kosovës përkon me atë të bashkësisë euro-atlantike, duke cenuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë ai. Ai beson se zgjidhja do të ishte përkrahja e plotë e Shqipërisë për Kosovën në dialogun e saj me Serbinë.
Një krisje e vjetër me Ramën gjithashtu duket se buron prej investimit të tij në nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e kishte kundërshtuar Qeveria e Kurtit.
“Rama lëndoi Kosovën duke u bërë pjesë e ‘boshtit të së keqes’, duke mbështetur ‘Ballkanin e Hapur’ dhe duke kritikuar Kurtin në praninë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për mospjesëmarrjen në të”, ka thënë Fidan Ukaj, analist në Kosovë.
Megjithatë, Genta Zaimi, analiste në Tiranë, fajin më të madh për marrëdhëniet e tendosura ia lë agjendës politike të Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit në pushtet.
“Kurti ka ndikuar negativisht marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë duke i përdorur mekanizmat e Vetëvendosjes në atë mënyrë që të marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë dëmtuar në njëfarë përmase”, ka theksuar ajo.
Arben Ahmet, drejtor i një televizioni në Kosovë, gjithashtu beson se ambicia e Kurtit për të zgjeruar ndikimin e tij politik në Shqipëri e ka bërë të veten në kurriz të marrëdhënieve – dhe kjo është në interes të Kurtit.
“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija. Por Kurtit nuk i duhet Rama si aleat. Për agjendën e tij politike, ai në fakt përfiton duke e pasur atë rival”, ka sugjeruar ai.
Koha për qasje të re
Në paraqitjet e tyre publike, Rama dhe Kurti janë treguar të matur për të spikatur më fort bashkëpunimin sesa dallimet ndërmjet tyre.
Dy qeveritë kanë bërë përpjekje për të ruajtur bashkëpunimin, pavarësisht mungesës së ceremonive formale që e shoqëronte.
Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët në Gjakovë, marrëveshjet e planifikuara për t’u nënshkruar aty në fakt janë nënshkruar në korrik, larg prej vëmendjes së mediave.
Prejse Kurti erdhi në pushtet në Kosovë më 2021, dy qeveritë janë pajtuar që të krijonin një “sekretariat ndërqeveritar” për të krijuar një institucion të dedikuar për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Ky sekretariat, i ndodhur në ndërtesat kryeministrore në dy vendet, i ka thënë BIRN-it se prejse Kosova e shpalli Pavarësinë më 2008, janë nënshkruar gjithsej 185 marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle zbatimi, përfshirë edhe ato që ishin finalizuar në korrikun e vitit 2023. Prej 185 syresh, 89 do të nënshkruheshin gjatë tetë mbledhjeve të përbashkëta qeveritare.
Sa i përket zbatimit, sekretariati ka përqendruar përpjekjet e veta në 124 marrëveshjet e nënshkruara deri më 2021.
Raporton se prej 127 marrëveshjeve, 75 sosh janë zbatuar suksesshëm pa telashe, teksa të mbeturat janë në faza të ndryshme progresi.
Ndër vite, janë zbatuar nisma të rëndësishme, përfshirë lëvizjen e lirë të qytetarëve në dy anët e kufirit, hapjen e zyrave doganore të Kosovës në Portin shqiptar të Durrësit, njohjen e përbashkët të kontributeve të sigurimit social, unifikimin e procedurave për aplikime studentore për universitetet, dhe të tjera.
Megjithatë, disa nisma kyç kanë ngecur, si unifikimin e doganave ndërmjet dy vendeve, që do ta trasonte rrugën për tregti të lirë.
Pavarësisht një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet dy ministrive të financave dhe krijimit të një udhërrëfyesi prej një grupi të përbashkët pune, përparim nuk kanë shënuar diskutimet për zbatimin e nismës.
Zbatimi i suksesshëm i këtyre ujdive shpesh është vënë në dyshim prej analistëve.
Ata e pranojnë se mbledhjet e përbashkëta qeveritare kanë qenë një mekanizëm i rëndësishëm për t’i çuar ato përpara dhe për simbolikën e tyre të unitetit.
Por disa syresh besojnë se ka kaluar koha për mbledhje të përbashkëta qeveritare dhe se duhet të gjenden qasje të reja për ta kuptimësuar edhe më fort bashkëpunimin dhe për ta bërë më rezistues ndaj mosmarrëveshjeve dhe lëkundjes së humorit politik të palëve.
Valon Murati, shef i partisë së vogël joparlamentare në Kosovë, Lëvizja për Bashkim, që angazhohet për një referendum për bashkim me Shqipërinë, i ka thënë BIRN-it se ka ardhur koha për të themeluar mekanizma të ri që do ta ngrehnin bashkëpunimin në një nivel më të lartë integrimi, duke ndjekur modelin e vendeve të Beneluksit ose të vetë Bashkimit Europian.
“Është qenësore që të shkohet përtej asaj çfarë njihet si partneritet strategjik, karakterizuar prej marrëveshjeve dhe mbledhjeve të përbashkëta, dhe të kalohet drejt integrimit duke krijuar mekanizma të përbashkët administrativë dhe legjislativë për të menaxhuar bashkëpunimin dhe integrimin”, ka thënë ai.
Indrit Vokshi, analist në Tiranë, dëshiron të arrihet një Pakt Kombëtar, me qëllim që dy vendeve t’u parandalohet të veprojnë sipas agjendave individuale dhe rrjedhimisht edhe prej spontanitetit politik afatshkurtër.
“Ky pakt do të duhej të shtronte prioritetet politike për disa dekada të ardhshme. Thelbi i tij duhet të harmonizojë interesat kombëtare të shqiptarëve në rajon me platformat e aleatëve të tyre perëndimorë”, ka theksuar ai.
Sidoqoftë, ndërkohë të eksplorohet modeli më i mirë për t’i harmonizuar interesat dhe për të promovuar integrimin, Rama e Kurti duhet të navigojnë sfidën e ruajtjes së asaj çfarë tashmë është krijuar.
Përktheu në shqip: Rexhep Maloku