Katedralja "Nënë Tereza" FOTO: RTV 21

Liderët kosovarë urojnë Krishtlindjet

Liderë të institucioneve dhe të partive politike në Kosovë u kanë uruar festën e Krishtlindjeve besimtarëve të krishterë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një publikimi në Facebook, ka uruar shëndet, lumturi dhe gëzime në familje.

“Në këtë natë të bekuar të ripërtërijmë vlerat njerëzore dhe shpirtërore, duke rritur mirëbesimin, solidaritetin dhe humanizmin me njëri-tjetrin.

Edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i ka uruar të gjithë shqiptarët katolikë, besimtarëve të krishterë si dhe miqve ndërkombëtarë që shërbejnë në Kosovë.

“Si popull i një trungu, ne, për mijëra vjet kemi festuar së bashku, duke i dhënë kuptim thelbit të Festës, lajmin e mirë, shpresën, faljen, dashurinë dhe harmoninë ndërmjet njerëzve. Uroj dhe punoj që kjo traditë unike të rrënjoset si parim i përhershëm dhe model për shoqërinë dhe shtetin tonë. Uroj që Krishtlindjet të sjellin Paqe nën kulmin e secilit prej nesh. Buzmi le të ndriçojë e të ngrohë çdo familje! Për Shumë Mot e Jetë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Gëzuar Krishtlindjen! Paqe, mbarësi dhe begati për të gjithë!”, ka shkruar edhe kryeparlamentari në detyrë, Kadri Veseli, në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përshkruar atmosferën në festën e Krishtlindjeve, duke uruar edhe miqtë e Kosovës.

“Sot në mbrëmje shumë kisha në të gjithë botën do të mbajnë meshën për lindjen e Krishtit, shumë urime do të shkëmbehen, e fëmijët do të marrin dhurata. Mes tyre edhe bashkëkombasit tanë katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë, në Ballkan apo diasporë. Po ashtu, shumë prej popujve miq, një pjesë e të cilëve ndihmuan ushtarakisht e financiarisht Kosovën të çlirohet e të ecë përpara, sot në mbrëmje festojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai mes tjerash ka uruar që në këtë festë të mos lihet anash mesazhi I solidaritetit dhe ndihmës për të varfrit e të diskriminuarit.

“Ne shqiptarët festat i festojmë bashkë, andaj miq të dashur të krishterë, mos harroni ta ruani një ëmbëlsirë të vogël edhe për ne. Si çdo fe e madhe, Krishtërimi ia përkujton njeriut kufijtë e individualizmit dhe të metat e egoizmit, dhe e drejton atë kah e mbara: puna e përkujdesja për tjetrin, për bashkësinë, familjen, fqinjin, bashkëqytetarët, bashkëkombasit, dhe mbarë njerëzimin”, thuhet në publikimin e liderit të VV-së.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa përmes një telegrami u ka uruar festën e Krishtlindjeve qytetarëve të besimit të krishterë.

“Të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë, për shumë mot Krishtlindjen. Uroj që kjo kremte të gjejë familjet tuaja të mbushura me shëndet, harmoni dhe dashuri. Festa e Krishtlindjes, le ta gjejë popullin e Kosovës të bashkuar, në mirëqenie dhe plotë begati”, thuhet në urimin e Mustafës.

Qytetarët e besimit të krishterë nesër do të festojnë Krishtlindjet.

Mesha solemne e Krishtlindjes do të mbahet në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.