Liderët kosovarë ngushëllojnë familjarët e viktimave të aksidentit në Bullgari

Institucionet e Kosovës kanë reaguar pas aksidentit tragjik në afërsi të Sofjes së Bullgarisë ku kanë vdekur 46 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime popullit dhe autoriteteve të shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut. Osmani tha se Kosova vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla.

“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona. Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit. U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë”, ka shkruar presidentja në rrjetin social “Facebook”.

I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari, është shprehur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e plotë për të ofruar “ndihmën e Kosovës në çdo kapacitet”.

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Momente të vështira si këto lehtësohen duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar.

Gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh i tronditur për tragjedinë atje. Kryeparlamentari kosovar tha se bashkëndjejnë dhe lutën për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve.

“Ky mëngjes na tronditi me lajmin e hidhur për tragjedinë e ndodhur ne Bullgari. 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut njoftohet se kanë humbur jetën në autobusin që po kthehej nga Turqia. Ngushëllime familjarëve të viktimave, bashkëndjejmë dhe jemi me ta në këtë tragjedi, si dhe lutemi për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve”, thuhet në postimin e Konjufcës në rrjetin social “Facebook”.

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.