Foto: KALLXO.com

Liderët institucionalë u bëjnë thirrje qytetarëve për dorëza e maska e vet nuk i përdorin

Krerët institucionalë vazhdimisht në paraqitjet e tyre publike kanë bërë thirrje për përdorimin e maskave dhe dorezave si masë parandaluese ndaj sëmundjes COVID-19.

Mirëpo, sot, të paktë ishin liderët që e respektuan thirrjen që ua bëjnë orë e çast qytetarëve.

Duke filluar nga i pari i shtetit.

Presidenti Hashim Thaçi, edhe pse u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vazhdojnë t’i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në ditët kur rastet e të prekurve me COVID-19 në Kosovë janë duke u rritur, vetë nuk kishte vendosur as maskë as doreza në konferencën për media.

Maskë dhe doreza nuk ka vendosur as kryeministri i vendit, Avdullah Hoti në takimin me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në fotografitë e dërguara nga Zyra e Kryeministrit shihet se të gjithë të pranishmit kanë të vendosur maskën, ndërsa kryeministri Hoti jo.

Maskën Hoti nuk e ka vendosur as në takimin me ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

As kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk ka vendosur doreza dhe maskë, në paraqitjen e saj para mediave pas mbledhjes së Kryesisë.

Osmani ka theksuar se për qëndrimet e saj politike nuk ka nevojë që të koordinohet me askënd, e që për këtë thotë se më së miri e di kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ky deklarim vjen pasi që Mustafa ditë më parë e ka quajtur të papërgjegjshëm mosdrejtimin e seancës nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ku u votua Hoti si kryeministër e gjithashtu në një deklarim tjetër e vuri në pikëpyetje vazhdimin e saj në LDK.

“Sikurse z.Mustafa dhe çdo politikan tjetër e din që nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që i mbaj. Në fakt, më mirë së kushdo qoftë këtë do ta dinte z.Mustafa. Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime dhe nga njerëzit që e duan në të vërtetë LDK-në dhe të mirën e Kosovës. Këto qëndrime kanë qenë gjithnjë të njëjta. Pra unë prapë i sfidoj se cilin qëndrim që e kam mbajtur para tetorit dhe pas saj, ka ndryshuar. Kanë qenë qëndrime të njëjta me të cilat e kemi marrë besimin qytetar”, tha ajo.

As nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, nuk i ka përfillur rekomandimet e Institutit për vendosjen e maskës dhe dorezave.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas konferencës së presidentit të vendit Hashim Thaçi në të cilën ndër tjerash foli edhe në lidhje me idenë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pas rritjes së numrave të të infektuarve me COVID-19.

Presidenti, i cili në mars kishte propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sot tha se e urren atë.

Ndaj kësaj ka reaguar Nagavci, e cila ka shkruar se janë së paku dy arsye pse kjo deklaratë është e pritshme.

“E para ky person gjithnjë ndërron qëndrimet e tij dhe atë publikisht, njëjtë ka bërë dhe me deklaratat e tij për ndryshimin e kufijve. Dhe e dyta, tani më nuk i nevojitet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për të marrë në duar pushtetin ekzekutiv që nuk ia njeh Kushtetuta. Tani e ka Qeverinë e tij që vullnetarisht i jep kompetencat që nuk i takojnë̈ dhe madje përtej kësaj”, u shpreh Nagavci.

 

Edhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selmi nuk ka vendosur maskë as dorëza në paraqitjen e tij publik pas mbledhjes së Kryesisë.

Selimi bëri të ditur se janë proceduar të gjitha nismat ligjore, të cilat më parë janë kundërshtuar nga opozita e atëhershme.

Sipas tij, ajo çfarë u shpërfaq sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është qasja joparimore e shumicës së krijuar “ilegjitime” në Parlamentin e Kosovës.

“Ne sot futëm në agjendë të gjitha nismat pothuajse ishin të cilat dikur të njëjtat, grupet parlamentare i kishin kundërshtuar. Ato nisma që i kanë bllokuar gjatë pandemisë që kanë të bëjnë me masa të mbrojtje dhe mbështetje të qytetarëve që atëherë i kanë bllokuar, sot i kanë sjellë në Kuvendin e Kosovës, për t’i proceduar”, tha Selimi.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi gjatë vizitës në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve nuk ka vendosur maskë as doreza.

Maskë dhe dorëza nuk ka vendosur as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së sotme, i pari i Prishtinës ka folur për rastet e reja me COVID-19, mirëpo nuk ka pasur të vendosur as maskën e as dorëzat.

Ai ka thënë se 10 rastet e fundit, janë kontakte të një personit që është konfirmuar më herët me COVID-19.

Sipas Ahmetit personi i infektuar ka punuar në një organizatë, e pastaj fëmijët e tij i ka dërguar në dy çerdhe të ndryshme.

“Në Prishtinë këto 10 raste kanë të bëjnë vetëm me një person, dhe të gjitha këto janë nga një person që ka pasur shumë kontakte. Ka punuar në një organizatë, pastaj janë dy fëmijët e tij në dy çerdhe të ndryshme. Nesër do t’i testojmë fëmijët e këtyre çerdheve. Mbrëmë kemi vendosur që t’i mbyllim çerdhet dhe t’i dezinfektojmë hapësirat dhe edukatorët janë në shtëpi”, ka thënë Ahmeti.

Edhe i pari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, në konferencën e mbajtur sot, përderisa paralajmëronte vendosjen e “drynit” te lokalet që nuk respektojnë masat, nuk kishte të vendosura pajisjet mbrojtëse.

“Jemi të detyruar që t’i mbyllim aktivitetet me operacion të veçantë të inspeksionit komunal. Kjo nënkupton vendosjen e ‘drynit’ dhe mbylljen e lokalit, deri në zbatim të masave, sepse nuk guxojmë të rrezikojmë shëndetin publik për motive komerciale, përkundër që tre muaj kanë qenë të mbyllura”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, nga të gjithë të lartcekurit, ka vepruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ministri i Shëndetësisë bashkë me drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadani dhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj kanë vizituar pikën kufitare në Vërmicë.

Zemaj nga këtu bëri thirrje që të respektohen masat dhe rekomandimet e dhëna nga IKShPK-ja, ndërsa për të përçuar mesazh, në mënyrë simbolike ka shpërndarë maska për qytetarët që hynin në Kosovë.

“Sot jam bashkarisht me të gjitha kapacitet që ka Kosova që të shohim në mënyrë praktike se si po qëndron qasja e lëvizjes së lirë dhe e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve që hyjnë në Kosovë. I bëj thirrje që ata që hyjnë në Kosovë të respektojnë masat dhe të përçojnë këtë mesazh”, ka thënë Zemaj para gazetarëve.

 

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do t’i vizitojë komunat në të cilat janë mbledhur nënshkrime për peticionin “Duam Zgjedhje”.

Sot Kurti pas vizitës që kishte në sheshin e Prishtinës, kishte të vendosur maskën mbrojtëse.

“Në ditët në vijim do të shkoj në komuna të ndryshme të Kosovës për shkak se ka kohë që nuk kam dalë në qytetet dhe qytezat e vendit tonë. Kryesisht po i vizitoj vendet në të cilat po mblidhen nënshkrime për peticionin duam zgjedhje. Mbi 150 mijë nënshkrime janë bërë deri më tani. Qartazi e sigurtë ky do të jetë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti.

Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vendosur pajisjet mbrojtëse gjatë inspektimit në institucionet publike, markete, barnatoret dhe bizneset tjera.