Liderët e Shqipërisë urojnë Vetëvendosjen për fitoren në zgjedhje

Fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë e kanë uruar dhe përshëndetur edhe liderët e Shqipërisë.

Përqindjen e lartë të pjesëmarjes së qytetarëve në votim përkundër të ftohtit dhe COVID-19, e ka vlerësuar lartë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta ka uruar qytetarët dhe klasën politike në Kosovës për shembullin e besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

“Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, ka shkruar Meta në Facebook.

I pari i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka uruar që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik & social”, ka shkruar Edi Rama në Twitter.

Ndërsa kryetari i partisë opoziare PD, Lulzim Basha, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren në zgjedhje.

Basha ka paralajmëruar që Kosova ka sfida të mëdha përpara.

“Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë t’i adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Basha në Facebook.

As Basha nuk e ka lënë pa uruar qytetarët e Kosovës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarte europiane, model demokracie për mbarë rajonin”, përfundoi Basha.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, LVV kryeson me 47,88 %, PDK me 17,36% ndërsa LDK me 13,08%.

Votat me kusht dhe ato që kanë arritur nga diaspora ende nuk janë numëruar.