Foto: Pixabay.com

Liderët botërorë mblidhen në funeralin e Mbretëreshës britanike

Kisha Uestminister në Londër ka hapur dyert për të pritur mijëra mysafirë në ceremoninë e organizuar për varrimin e Mbretëreshës Elizabeta II.

Liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden dhe atë francez, Emmanuel Macron kanë arritur në kishë.

Mbretëresha britanike varroset në Londër, në pasditen e 19 shtatorit.

Arkivoli i saj do të dërgohet fillimisht në Kishën e Uestministerit, ku do të mbahet një shërbesë fetare, në të cilin do të marrin pjesë mijëra persona, më pas në Kështjellën Uindsor për një shërbim më privat.

Në fund, Mbretëresha Elizabeta II do të varroset në një ceremoni private në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë burrit të saj të ndjerë, Princit Philip.

Në pllakën prej mermeri në varrin e saj do të gdhendet: Elizabeta II 1926-2022.

Dita e varrimit pritet të jetë emocionale për shumë britanikë.

Britania nuk ka organizuar ceremoni të tilla varrimi që 60 vjet, përkatësisht që nga varrimi i Wiston Churchill-it.

“E mbaj mend përgjatë gjithë jetës sime”

Qindra mijëra persona kanë dalë nëpër rrugët e Londrës, nëpër të cilat do të kalojë arkivoli i Mbretëreshës.

Miliona të tjerë pritet të përcjellin ceremoninë mortore përmes transmetimeve të drejtpërdrejta.

Agjencia e lajmeve, Reuters, ka biseduar me dhjetëra persona që kanë udhëtuar nga rajone të ndryshme të Britanisë për të nderuar Mbretëreshën e ndjerë.

“Ajo ka qenë e pranishme te ne për kohë të gjatë, prandaj të gjithë e kemi marrë për të sigurt atë fakt. Jam këtu, sepse ajo është pjesë e historisë”, ka thënë Alexandra Stevenson, infermiere 35-vjeçare nga Londra.

“Atë e mbaj mend përgjatë gjithë jetës sime. Nuk jam shumë e dhënë pas familjes mbretërore, mirëpo më ka pëlqyer mbretëresha”, ka thënë Vicky McConkey, 70-vjeçare nga Londra.

“Atë e kemi quajtur shefe. Kam ardhur për ta respektuar. Jam veshur, i kam shkëlqyer këpucët, gjithçka”, ka thënë Mario Reid, veteran që ka shërbyer 22 vjet me inxhinierët në familjen mbretërore.

“Jam nga komuniteti i Karaibeve, dhe ne e festojmë jetën në vend që të vajtojmë – mirëpo e bëjmë këtë gjë me respekt”, ka thënë Craig Chambers, 32-vjeçar, punëtor në hekurudha.

Mbretëresha Elizabeta II ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në Kështjellën Balmoral të Skocisë.

Ajo ka qenë në fron për 70 vjet – më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar.

Fronin e ka trashëguar djali i saj i madh, Charles, i cili tani njihet me emrin Mbreti Charles III.

Pallati Bakingam ka thënë se vetë Mbretëresha Elizabeta II – sa ka qenë gjallë – ka shtuar detaje personale në planin për ceremoninë e varrimit të saj.

Kisha e Uestministerit, ku do të mbahet shërbesa fetare, është vendi ku janë kurorëzuar mbretërit e mbretëreshat e Britanisë, përfshirë edhe Elizabeta II më 1953.

Në këtë kishë ajo është martuar me Princin Philip më 1947.

Në Uestminister nuk është mbajtur asnjë ceremoni mortore e monarkëve që nga shekulli i 18-të, edhe pse më 2002, aty është organizuar ceremonia e varrimit të Nënës Mbretëreshë, nënës së Elizabeta II.

Kush do të marrë pjesë në varrimin e Mbretëreshës?

Mbi 2.000 persona do të marrin pjesë në shërbesën në Kishën Uestminister, në krye me Mbretin Charles III dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore nga e mbarë bota.

Në varrim po ashtu do të marrin pjesë edhe politikanë të ndryshëm, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka marrë ftesë për të qenë e pranishme në ceremoninë shtetërore të varrimit të Mbretëreshës.

Ndërkaq, në shërbesën që mbahet në faltore e Shën Xhorxhit në Kështjellën Uindsor janë ftuar 800 mysafirë.

Në varrimin e Mbretëreshës, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e familjeve mbretërore nga Evropa dhe bota. Perandori i Japonisë Naruhito dhe Perandoresha Masako do të thyejnë traditën japoneze, duke marrë pjesë në funeralin e monarkes britanike.

Edhe Mbreti Willem-Alexander i Holandës, Mbretëresha Maxina dhe Princesha e Kurorës Beatrix kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Në varrim marrin pjesë edhe mbreti Philippe i Belgjikës, Mbreti Harald V i Norvegjisë dhe Princi Alberti II i Monakos.

Mbretëresha Margrethe e Danimarkës – që ka anuluar një sërë ngjarjesh për të shënuar 50-vjetorin e saj në fron, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II – do të marrë pjesë në varrim. Ajo është kushërira e tretë e Mbretëreshës britanike. Po ashtu, Mbreti i Spanjës, Felipe VI do të jetë i pranishëm me gruan e tij, Letizia. Edhe babai i tij, ish-mbreti spanjoll, Juan Carlos I – që abdikoi nga froni më 2014 – ka konfirmuar pjesëmarrjen në funeral.

Përveç presidentit amerikan, Joe Biden, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe liderë të tjerë në botë.

E pranishme do të jetë edhe gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Olena.

Ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur Mbretëreshën Elizabeta II si “mbretëreshë të përjetshme”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Brazilit, Jair Bolsorano, po ashtu marrin pjesë.

Kina ka njoftuar se i pranishëm do të jetë zëvendëspresidenti, Wang Qishan.

Në mesin e 500 liderëve botërorë do të jenë edhe ata të Italisë, Gjermanisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Irlandës dhe liderët e 56 shteteve të Komenuellthit.

Por, ka edhe udhëheqës që nuk janë ftuar. Për shkak të raporteve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar ka ftuar ambasadorët – jo krerët e shtetit – të disa shteteve, sikurse Iranit, Nikaraguas dhe Koresë së Veriut.

Rusia dhe Bjellorusia janë në mesin e një grupi të vogël që nuk janë ftuar fare në varrim për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin – ndaj të cilit Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione për udhëtim – veçse ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në varrim.

Në këtë ceremoni nuk janë ftuar as liderët talibanë afganë dhe as ata të Mianmarit, Sirisë dhe Venezuelës.

Sfidat e sigurisë

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, ka thënë se varrimi shtetëror i Mbretëreshës Elizabeta II paraqet një sfidë “të pashembullt” sigurie, pasi qindra mijëra persona do të jenë në Londër.

“Kanë kaluar dekada qëkur ne kemi pasur kaq shumë liderë botërorë në një vend. Kjo është situatë e pashembullt… në raport me gjërat e tjera që ne po trajtojmë njëkohësisht”.

Ai ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se mund të ketë persona që duan t’iu bëjnë keq liderëve botërorë, prandaj, “ne po punojmë jashtëzakonisht fort – policia, shërbimet e sigurisë dhe shumë të tjerë – për t’u siguruar që varrimi shtetëror të shkojë si duhet”.

Mbi 10.000 policë do të ofrojnë siguri në Londër të hënën. Qindra vullnetarë dhe anëtarë të ushtrisë po ashtu do të jenë në detyrë.

Për shkaqe sigurie, autoritetet në Londër kanë ndaluar fluturimin e përkohshëm të dronëve, ndërkaq aeroporti Hithrou do të ndalojë fluturimet, me qëllim që të mos krijohet zhurmë gjatë funeralit të monarkes.

Sfidë tjetër e sigurisë do të jenë turmat e njerëzve. Arkivoli i Mbretëreshës do të udhëtojë nëpër Londër në një distancë prej 32 kilometrash dhe e gjithë rrugët që do të përshkojë kortezhi mortor, do të ketë barriera. Kjo pasi, anash pritet të mblidhen afër qindra mijëra persona./REL