Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani në homazhe te varri i ish- Presidentit Ibrahim Rugova, Foto: ZKM

Liderë të partive në Kosovë bëjnë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova

Sot shënohet përvjetori i vdekjes së Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006. Pra sot shënohet 17 vjetori i vdekjes së tij.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me Presidenten Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme bënë homazhe te varri i ish- presidentit Rugova.

Kurti tha se Rugova ka qenë president me qëndrim intelektual e sjellje paqësore.

“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe në Prishtinë te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe Presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë teksa e kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”- tha Kurti pas homazheve.

Presidentja Osmani theksoi ndërtimin e miqësisë dhe aleatëve që krijoi Rugova për mbështetjen e Kosovës si shtet i ri në ditët e saj të rënda.

“E përkujtojmë me mall, njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës, për liri dhe pavarësi. Natyrisht që është pikërisht trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pa ndalura që ta forcojmë shtetin tonë, shtetin që u ndërtua me aq shumë mund dhe sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës prandaj ashtu siç diti Presidenti Rugova, të ndërtoj miq e aleatë të cilët e mbështetën Kosovën në ditët më të rënda dhe më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara për derisa Kosova vazhdon të përballet me sfida”- tha Osmani sot.

Lumir Abdixhiku që sot drejton Lidhjen Demokratike të Kosovës i përcjellë nga anëtarë të shumtë të kësaj partie tha se Rugova la gjurmë në shtetësinë e Kosovës.

“Gjurmët e tij, trashëgimia e tij politike vazhdon të mbetet qenësore për ne dhe politikën e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte prijësi unik i lëvizjes nacionale të shqiptarëve dhe përpjekja e tij për liri, pavarësi dhe demokraci është suksesi më i madh historik i shqiptarëve. Sot ndjejmë mungesën e tij, urtësisë së tij, politikës së tij dhe vizionin e tij për një Kosovë demokratike një Kosovë që është e ndërlidhur ngushtë në rrugëtimin euroatlantik në përpjekjen e saj kolektive drejtë së ardhmes”- tha Abdixhiku pas homazheve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një postim në Facebook ka thënë se Rugova ishte personalitet kryesor që jetën e tij ia kushtoi Kosovës.

“Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova do të mbetet përjetësisht në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur. E kisha për nder që të bashkëpunoj me të në ditët e para të lirisë e në një periudhë kritike të shtet ndërtimit. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt shembullin dhe vizionin e tij”- ka shkruar Haradinaj.