Liburn Aliu viziton punimet për zgjatje të pistës së aeroportit ‘Adem Jashari’ (FOTO)

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë ditës ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari, ku pa nga afër punimet për finalizimin e zgjatjes së pistës.

 “Ministri Aliu i Shoqëruar nga inzhinieri i ndërtimit nga pala mbikëqyrëse për projektin e zgjatjes së pistës,  Peter Bonello, dhe drejtori i operimeve të Aeroportit  Gokmen Aritay,  zhvilloi një vizitë tek pista e Aeroportit për të parë nga afër të gjitha punimet e kryera deri tani dhe diskutuan në hollësi për finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, nga 2500 metra në 3050 metra, e po ashtu edhe për instalimin e paisjeve të rëndësishme përcjellëse në ngritjen e kapaciteteve teknike për ofrimin e shërbimeve ajrore”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën për media thuhet se me zgjatjen e pistës, sistemi i aterimit do avancohet nga kategoria 2 në 3B duke e bërë aeroportin më konkurrent në rajon.

Tutje potencohet se edhe pajisjet e reja që kanë të bëjnë më navigimin do luajnë rol të rëndësishëm për aterim në kushte të rënda atmosferike.

“Me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, sistemi instrumental i aterimit avancohet nga kategoria 2 në 3B, e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor, që e bën Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më konkurrent në rajon. Po ashtu, pajisjet të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që kanë të bëjnë me navigimin, e me meteorologjinë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm për aterimin në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast do të eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas ministrisë, priten që edhe kostot të jenë më të ulëta përmes këtij projekti.

“ Kostot më të ulta për kompanitë ajrore përfundimisht barten tek udhëtarët përmes biletave më të lira. Udhëtari mund të ketë mundësi më të mëdha për destinacione plotësuese që mund të hapen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si rezultat i kostove më të ulta të krijuara përmes këtij projekti”, thuhet në komunikatë.