Liburn Aliu tregon se a do të kundërshtojë LVV praninë e Driton Selmanajt në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje beson që Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj nuk do të marrë pjesë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së shefit të deputetëve të LVV-së, Liburn Aliu ka thënë për KALLXO.com, se ende nuk e dinë se çfarë masa do të ndërmarrin, pasi javën e kaluar kanë paralajmëruar se refuzojnë të lejojnë vazhdimin e çfarëdo seance plenare ku është i pranishëm zëvendëskryeministri Selmanaj.

“Te shohim njëherë a po vjen ai. Te shohim, varet. Nuk mendoj që është mirë me as deklaru se çfarë mund të bëjmë, kur nuk e dimë se çfarë do të bëjmë, por ne besojmë që ai nuk do të vjen”, ka thënë ai Aliu për KALLXO.com.

I pyetur se pse besojnë që Selmanajnuk do të paraqitet në Kuvend, ai ka shtuar se “po e kanë të qartë, po ndihen fajtorë për këtë punë”.

Aliu ka theksuar se Zëvendëskryeministri ose duhet të shkarkohet ose duhet të jap dorëheqje.

“Do të ishte më mirë edhe për institucionin edhe për të gjithë. Nëse nuk ndodhë një gjë e tillë do të ishte mjaft e turpshme për institucionet e Kosovës”, ka thënë Aliu për KALLXO.com.

Shkarkimi i Zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj është kërkuar pas një deklarate të këtij të fundit në një televizion vendor lidhur me personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Selmanaj në një emision ishte pyetur “nëse është joserioze që të akuzojë një të mbijetur të masakrës për abuzim me temën e të pagjeturve”, duke përmendur deputeten e LVV-së, Saranda Bogujevci.

Kurse, Selmanaj ka thënë që të mos provohet të jepen konotacione deklaratës së tij duke thënë se “janë lodhur me kësi qasje”.

Edhe Rrjeti Grave të Kosovës (RrGK) përmes një letre drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij në lidhje me të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ato deklarata janë shtrembëru nga persona të caktuar.

“Nëse do të kishte një element më të vogël në bindje ose në deklarata të Selmanajt ose të cilido anëtar të Qeverisë, që do të binte ndesh me parimet e funksionimit tonë, që në çfarëdo forme do të cënonte ose do të fyente familjarët e të pagjeturve, unë i pari i Qeverisë do t’i kërkoja falje atyre dhe do të merrja menjëherë veprimet e duhura”, ka thënë Hoti.

Rrjeti i Grave të Kosovës i kërkon Hotit shkarkimin e Driton Selmanajt