Liburn Aliu tregon pse djali i tij nuk u karantinua

Më 10 maj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu postoi një fotografi nga Aeroporti i Prishtinës.

Nga atje, ai njoftoi se ka pritur djalin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndronte pr studime.

Por, djali i tij nuk ishte karantinuar në Qendrën e Studentëve siç bëjnë të gjitha ata që kthehen nga shtetet e huaja. Arsyeja, sipas Aliut ishte sepse djali i tij është nën moshën 18 vjeçare.

“Dje, Eneu na u kthye nga SHBA-të, ku qëndroi për gati një vit, në kuadër të programit YES. I jemi shumë mirënjohës familjes Spalding, Dr. Barbara dhe z. Grant për mikëpritjen dhe kujdesin prindëror që bënë që Eneu të ndihet si në shtëpinë e tij. Faleminderit! Ju mirëpresim në Kosovë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Aliu tha se djali i tij është në vetë izolim.

“Është në vetë izolim sepse djali është i mitur, nën 18 vjeç. Edhe na me deshtë me dërgu nuk e pranojnë, djali është 17 vjeçar. Me shumë dëshirë e kisha lënë edhe këtë në karantinim por nuk e pranojnë sepse është i mitur dhe pa përcjellje”, tha ai.

Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, konviktet në Prishtinë janë shndërruar në karantinë për të gjithë ata që kthehen nga vendet jashtë Kosovës përveç të miturve, personave mbi 70 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore specifike.