Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu: Sulmi i fundit me përgjime është qesharak, u besoj këshilltarëve të mi

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se përgjimi i fundit i publikuar në gazetën “Nacionale” ku pretendohet përfshirja e këshilltarit të tij Florent Ramqaj, në kërkim ryshfeti për projektin e rrugës Dollc-Gjakovë “është qesharak”.

“Unë i njoh të gjithë këshilltarët e mijë, para se me dal emisioni filloi një fushatë tjetër kur u bë paralajmërimi dhe një presion se tani unë duhet ta shkarkojë atë. Kur e dëgjuam përgjimin e famshëm që u deshëm orë të tëra interpretim për ta bërë të duket më serioz, doli një situatë tejet qesharake, në krahasim me pompozitetin që iu dha’, tha Aliu në Pressing të T7.

Sipas tij, Florent Ramqaj goditet pasi të gjitha projektet e mbrapshta që i kanë ndalë ka qenë personi më i zellshëm dhe përpiktë në këtë pikë.

Ministri shprehi edhe dyshime lidhur me vërtetësinë e videos ku dy persona dëgjohen duke folur.

“Doli që dy persona, mbase të kompanive private, kanë fol me njëri-tjetrin, nuk e përmendin këshilltarin apo ministrin, nuk e dimë çfarë incizimi është, nëse është i autorizuar”, shtoi ai.

Sipas tij, përgjimi nuk ka asnjë lidhje me Florent Ramqajn, ai potencoi se u desh të bëhen skica të shumta për të krijuar lidhje me emrat që u përmendën në përgjim.

Liburn Aliu tha se kompania “Infratek” e ka marr projektin për rrugën Dollc-Gjakovë në vitin 2018, kurse për këshilltarin e tij tha se nuk ka punuar aty.

“Kompania e ka marr atë punë në vitin 2018, nuk e kemi caktuar ne, e ka marr projektimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Nuk e kemi shkëputur asnjë kompani prej kontratave të nënshkruara që kanë afat. Ata kanë qenë autor të projektit dhe me ligj janë edhe autoriteti që mund të jap pëlqim për ndryshim. Nuk mund të mohojë se këtu nuk ndodhin pazare, duhet të hetohet” shtoi ai.

“Florent Ramqaj nuk ka punuar në këtë kompani (Infratek) asnjëherë, ai ka punuar në ALfa I, që është e Halil Jahajt.

Në gazetën Nacionale para disa ditësh u publikua një përgjim telefonik që pretendon se përfaqësuesi i kompanisë projektuese të rrugës Dollc-Gjakovë “Infratek” e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje u zu duke kërkuar ryshfet në vlerë 30 mijë euro kompanisë që po kryente punimet.

Në këtë kompani, sipas Nacionales, kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut, Florent Ramqaj, i cili pretendohet se ka lidhje familjare me pronarët.