Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu sqaron vendimin për tiketën ngjitëse prej 5 eurosh

Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka sqaruar gjatë intervistës në “Kallxo Përnime” vendimin për tiketën prej 5 eurosh për automjetet.

Ai ka thënë se vendimi për tiketën ngiitëse është nënshkruar në qershor nga zv.ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, mbi bazën e një opinioni ekzistues nga zyra e kryeministrit dhe disa ministrive nga koha kur Qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se Durmishi ka pasur autorizim ligjor nga ai për të nënshkruar kontratën për tiketën ngjitëse.

Ministri Aliu ka thënë se në momentin kur ka dalë lajmi për nënshkrimin e kontratës për tiketën ngjitëse dhe kur janë shikuar dokumente është vërejtur se në dosje mungojnë disa dokumente.

Ai ka treguar se disa dokumente dhe një raport i auditorit ku është mbështetur zëvendësministri Durmishi për nënshkrimin e kontratës për tiketën ngjitëse.

“Kur është publiku nënshkrimi i kontratës është përmendur një raport tjetër auditimi që e thotë të kundërtën, nga i njëjti auditor (Begzad Musliu) për të njëjtën çështje”, ka thënë ai.

Ai ua ka lënë fajin zyrtarëve të Ministrisë nga Qeveria e kaluar për këtë çështje.

Aliu ka thënë se ka nevojë për tiketën ngjitëse për të identifikuar makinat e paregjistruara.

Po ashtu, ai ka thënë se hetuesia duhet të hetojë rastin e tiketës dhe nuk  përjashton përgjegjësi politike dhe pasoja për çështjen e tiketës ngjitëse.

Muajin e kaluar mediat raportuan se zv.ministri Hysen Durmishi nënshkruajti kontratë për tiketën ngjitëse prej 5 eurosh.

Pas reagimeve, zv.ministri Durmishi shfuqizoi vendimin e tij për tiketën ngjitëse.