Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Liburn Aliu: Shqetësimet e banorëve të lagjes 'Kalabria' për planin rregullues po i trajtojmë me prioritet

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se do i trajtojnë me prioritet shqetësimet e banorëve të lagjes “Kalabria” në Prishtinë lidhur me planin rregullues.

Ai tha se kjo gjë u adresua edhe sot me përfaqësuesit e lagjes në një takim me zyrtarët të ministrisë.

“Zyrtarë të lartë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë pritur në takim përfaqësuesit e lagjes Kalabria, me ç’rast kanë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe kanë diskutuar hollësisht për shqetësimet e tyre rreth Planit Rregullues të Hollësishëm si dhe vendimeve që janë marrë në të kaluarën”, ka thënë Aliu.

“I sigurojmë qytetarët e lagjes Kalabria se këtë çështje jemi duke e trajtuar me prioritet dhe me seriozitet”, shtoi me tej ministri.

Aliu ka thënë se shqetësimet e banorëve do trajtojnë në bashkëpunim me institucione qendrore e lokale.

“Për më shumë, shqetësimet e tyre do t’i trajtojmë bashkë me institucionet tjera qendrore dhe lokale, për shkak se ligjshmëria e vendimeve komunale trajtohet në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Banorët e lagjes ‘Kalabria’ në Prishtinë kanë protestuar para Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për mos shfuqizim të planit të hollësishëm rregullues që u miratua në nëntor të vitit 2021 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës të premten më 18 mars në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal ka futur si pikë të rendit të ditës, propozimvendimin për anulimin e vendimit për miratimin e planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, që u miratua më 12.11 2021.

Me shumë pankarta në duar ku bëhej thirrje për problemet që ka kjo lagje, banorët deklaruan se Ministri, Liburn Aliu duhet të bëjë çmos që të mos shfuqizohet ky plan.

Banorët e lagjes ‘Kalabria’ protestojnë para MMPHI, kërkojnë mos-shfuqizimin e planit rregullues