Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu: Projekte tepër të shtrenjta në Ministri, kishte iniciuar edhe stafi politik

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media ka prezantuar gjetjet e raportit të auditorit të brendshëm për projektet e MMPHI-së në fushën e ambientit.

Aliu ka deklaruar se ky raport ka nxjerrë shumë shkelje procedurale e sipas tij, vetëm një kompani ka pasur monopol të hartimit dhe mbikëqyrjen e projekteve.

Gjithashtu ai ka deklaruar se shumica e projekteve janë iniciuar nga stafi politik në ministrinë e Mjedisit, për të cilat projekte janë paguar vlera shumë të larta në krahasim me cilësinë e punimeve.

“Nga shqyrtimi i raportit del se ka pasur parregullsi në trajtimin e shumicës së këtyre projekteve të cilat mund të kategorizohen si në vijim. Inicimi i projekteve ishte bërë në mënyrë ad-hoc duke mos ndjekur një proces të vlerësimit profesional të prioretizimit, të vlerësimit të kosto-përfitimeve dhe fizibilitietit të tyre. Për më tepër, shpeshherë inicimi i projekteve ishte bërë nga stafi politik i kabinetit të ministrit pa pasur dokumentacion projektues për zbatimin e projektit që do të duhej të jetë parakusht për inicimin e procedurave të prokurimit”, ka deklaruar Aliu.

Gjithashtu Aliu ka thënë se janë bërë pagesa jashtëzakonisht të larta për projekte shumë të dobëta dhe jashtë çdo standardi.

“Kontraktimi i hartimit të dokumentacionit projektues ishte bërë përmes kontratës kornizë për afat 3 vjeçar dhe si rezultat i kësaj forme të kontraktimit. Kompania projektuese praktikisht e ka pasur monopolin e hartimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve për MMPH në periudhë e kaluar 10 vjeçare. Në shumicën e rasteve të shqyrtuara Ministria kishte kryer pagesën për projektin ideor dhe për projektin kryesor edhe pse kishte pranuar vetëm një projekt të titulluar – projekti kryesor dhe projekti ideor”, ka shtuar Aliu.