Liburn Aliu nuk shkon në komision, AAK bojkoton mbledhjen për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka bojkotuar mbledhjen e sotme të komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike pas mungesës së ministrit Liburn Aliu i cili ka qenë i ftuar të raportoj në këtë komision.

“Mendoj se duhet me u anulu ky takim sepse e kemi ftu ministrin, jo zëvendës-ministrin, nëse e vazhdojmë mua më duhet me lanë takimin”, tha Bytyqi dhe u largua nga salla e mbledhjes.

Në vend të ministrit Liburn Aliu i autorizuar për të raportuar në këtë komision ishte zëvendës-ministri Hysen Durmishi.

“Dua të ju sqaroj edhe ju edhe deputetes Bytyqi që unë i kam të gjitha autorizimet e ministrit për të ardhur këtu”, tha Durmishi.

Edhe kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami shprehi pakënaqësinë për mospjesëmarrjen e ministrit Aliu.

Ajo tha se mbledhja e komisionit është shtyrë disa herë për shkak të mungesës së ministrit.

Lidhur me mungesën e Aliut edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani tha se pajtohet me shqetësimin e deputetes Bajrami.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike diskutuar Shqyrtimin e Raportit të auditimit të performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”.