Liburn Aliu: Nuk kam njoftim zyrtar nëse po hetohem nga Prokuroria Speciale
Përsëri ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se nuk ka njoftim zyrtar se po hetohet lidhur për çështjen e ambalazhuesve.
“Unë nuk kam asnjë informacion zyrtar. Gjitha informatat për zgjerim të hetimeve i kam marrë në media. Pa e pasur një vendim zyrtar nuk mund të deklaroj” – tha ministri Aliu në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë më 23.10.2024.
Aliu tha se shpreh gatishmërinë time që të bashkëpunoj në zbatim të ligjit.
“Jam në dispozicion të drejtësisë e zbatimit të ligjit në këtë pikë pa asnjë hezitim” – tha tutje ai.
Kështu ishte shprehur Aliu edhe një një postim në Facebook më 21.10.2024.
Portali “Nacionale” raportoi më 21.10.2024 se ndaj ministrit Liburn Aliu, Prokuroria Speciale ka nisur hetime lidhur me rastin e ambalazhuesve.
Sipas “Nacionale”, e cila ka publikuar foto të dokumentit, Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve, teksa Aliu po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
KALLXO.com është përpjekur të marrë informacione në lidhje me pretendimet për hetime ndaj ministrit Liburn Aliu, mirëpo Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e ka konfirmuar një informacion të tillë.
Zyrtari i Ministrisë, Izedin Bytyqi, është arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të martën më 08.10.2024.
Dy institucionet njoftuan se Bytyqi u arrestua për veprat penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, dhe – armëmbajtje pa leje.
Kurse, pak ditë më vonë u arrestua edhe zyrtari tjetër, Naser Hafizi.
Valon Hoti, këshilltar i lartë politik i ministrit Liburn Aliu, kishte reaguar rreth aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai kishte thënë se as ministri e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi për asnjë lëndë, duke shtuar se ky është sqarim “rreth tentimeve për manipulim të opinionit publik”.
“Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej” – thotë ai.