Liburn Aliu: Nuk jam në dijeni për aktakuzë ndaj meje

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar pas lajmeve se ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aliu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se për këtë akuzë për herë të parë ka dëgjuar sot nga mediat.

“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi” ka shkruar Aliu.

Sipas informacioneve, aktakuza ka të bëjë për moszbatimin e një plani zhvillimor për ndërtimin në Komunën e Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila ka deklaruar se aktakuza lidhur me këtë rast ende nuk është konfirmuar.