Liburn Aliu: Në Kosovë një ndër ndërtuesit më të mëdhenj pa leje është vetë Qeveria

I ftuar në emisionin ‘Kallxo Pernime’ përballë Jeta Xharrës, ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur në lidhje me ndërtimet pa leje në Kosovën e pasluftës.

Aliu ka thënë se vetë Qeveria e Kosovës është një nga ndërtuesit më të mëdhenj pa leje.

“Në Kosovë një ndërtuesit më të mëdhenj pa leje është vetë Qeveria. Pra individët kanë ndërtuar pa leje, e kemi një numër jashtëzakonisht të ndërtimeve pa leje, mbi 300 mijë. Mbi 46 mijë janë vetëm në Prishtinë. Por ndërtuesi më i madh pa leje në Kosovë ka qenë vetë Qeveria, për shkak se nuk i është nënshtruar asnjëherë procedurave të rregullta të marrjes së lejes ndërtimore nga kategoria III, e që bie në kompetencë të Ministrisë”, ka thënë ministri Aliu.

Sipas tij, ndërtimet e kategorisë III janë kryesisht ndërtimet të cilat kanë të bëjnë me investime strategjike në vend, e të cilat, sipas Aliut, duhet të kërkohet leje ndërtimore.

Ai ka përmendur projekte të mëdha që sipas tij janë pa leje, siç është Aeroporti i Prishtinës apo autostradat.

“Pra, këto projekte të cilat kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e vendit, këto janë bërë pa leje. Investimet e shumta nga Ministria e Infrastrukturës janë bërë pa leje dhe kanë ndiku në zonat urbane për shembull të Prishtinës. Kjo zona e autostradës që e lidh autostradën me rrugën për në Shkup, është ndërtu pa leje, pa e konsultu fare Komunën e Prishtinës, e cila në të njëjtën kohë ka qenë duke trajtu lëndë për me dhënë leje në atë pjesë ku është ndërtu infrastruktura”, ka thënë Liburn Aliu.