Liburn Aliu: Hekurudha Hani i Elezit – Leshak pritet të kushtojë 224 milionë euro
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kanë krijuar një komitet që do merret me menaxhimin dhe modernizimin e hekurudhave.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se aktualisht e kanë projektin për hekurudhën nga Hani i Elezit në Leshak.
“Ne jemi në rritje të kapaciteteve për fondet që do mund të marrim nga BE për hekurudhat, tani e kemi krijuar një komitet që do merret me menaxhimin e modernizimin e hekurudhave. Duhet të kemi projekte për të marr fonde, aktualisht e kemi atë nga Hani e Elezit deri në Leshak. Kostoja e saj është 224 milionë euro, 60 për qind kredi 40 për qind grant i BE-së. Kjo hekurudhë nuk është e elektrifikuar, pasi kështu është nisur si projekt më herët. Ky projekt do auditohet dhe të shtohet sinjalistika e elektrifikimi”, ka thënë Aliu.
Lidhur me mundësinë që deri në vitin 2030 të bëhet elektrifikimi i hekurudhave, Aliu theksoi se ky është si target pasi ekziston fizibiliteti për hekurudhat ekzistuese.
‘Si target është vitit 2030, ka fizibilitet për hekurudhat ekzistuese. Ne jemi të fokusuar që linjat ekzistuese të modernizohen kur kemi të bëjmë me kyçje në korridore të jashtme, linja nga Shkupi në Leshak lidh ky korridore, linja deri në Pejë mund të lidh me Adriatikun, ajo në Merdar në drejtim të Sofjes”, shtoi ministri Aliu.
Sipas ministrit, për linjën Prishtinë-Durrës është duke u bërë studim fizibiliteti.
Aliu foli edhe për projektin e rrugës Prishtinë-Merdare për të cilën tha se ende nuk është finalizuar si projekt.
Sipas tij, duhet të bëhen marrëveshje financiare nga dy shtetet, Kosova dhe Serbia me BE dhe Bankën Evropiane për Zhvillim.
“Ende nuk kemi arritur të finalizojmë rrugën Prishtinë-Merdare, kjo është me kredi dhe grant, e njëjta është nga Serbia, nga Nishi në Merdar, të cilët i kanë nisur 5 kilometra. Duhet marrëveshja financiare, secili shtet e bënë veçantë më BE dhe EBRD”, shtoi Aliu.
Sipas tij, Kosova i ka ende 27 kilometra të papërfunduara të këtij projekti.
“Janë 27 km të papërfunduara, deri në Besi është e kryer, jemi duke e zgjeruar edhe rrugën ekzistuese. Ka qenë pikëpyetje si do vazhdojë Serbia me këtë projekt”, shtoi ministri.
Kurse, për rrugën për Tetovë, Aliu tha se janë në fazë të hartimit.
Në rrugën për Tetovë jemi në fazë të hartimit, shumica e tunelit është në Maqedoni, ata e marrin përsipër hartimin andej. Kjo financohet nga vendet përkatëse”, tha Aliu.