Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu flet për shkarkimin e shefit të prokurimit, Nexhat Krasniqi - thotë se nuk e ka bashkëpunëtor

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se shkarkimi i shefit të divizionit të prokurimit, Nexhat Krasniqi ka ardhur si shkak i fuzionimit të ministrive, ajo e mjedisit me infrastrukturën.

“I kemi dy ministri, e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tani është bërë bashkim i dy ministreve. Në këtë rast në fuzionim të tyre, mes dy zyrtarëve të prokurimit është përzgjedhur njëri. Momentin kur të fuzionohet plotësisht, aty pastaj hapet konkurs dhe konkurojnë të gjithë me anë të procedurave”, tha Aliu.

Ministri Aliu ne televizionin T7 tha se zotin Krasniqi e ka gjetur në atë pozitë kur kanë marrë udhëheqjen.

“Nexhati në kohën kur kam ardhur si ministër ka qenë i kthyer në pozitën që e ka pas, e ka kthy autoriteti i shërbyesve civil”, shtoi ai.

Tutje, Aliu potencoi se nuk e ka bashkëpunëtor të ngushte ish-shefin e divizionit të Prokurimit, ai thotë se me Krasniqin ka pas takime të pakta.

“Unë bashkëpunëtorë i kam vetëm këshilltarët, kabinetin, mund të kemi ndonjëherë vetëm takime shumë të pakta me zotin Krasniqi. Nuk jam marrë asnjëherë me prokurim”, shtoi ai.

Aliu nuk ka dashur të komentojnë deklarimet se zoti Krasniqi konsiderohet si “baba i tenderëve”.

Me datë 24 maj Ndriçim Mustafa është caktuar zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Nexhat Krasniqi përmendet më së shumti për rastin “MTPT” për keqpërdorime gjatë kohës sa ministër kishte qenë Fatmir Limaj.

Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi së bashku me ish-ministrin e transportit Fatmir Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal që shpërdoroi pozitën dhe autoritetin zyrtar si dhe mori ryshfete. Krasniqi akuzohej se në “rastin e MTPT-së” kishte favorizuar kompaninë ‘Tali’ që të fitonte një tender në Ministrinë e Telekomunikacionit gjersa drejtonte prokurimin.

Krasniqi dhe zyrtarët tjerë janë liruar nga këto akuza.

Kurse, në vitin 2015 Nexhat Krasniqi ishte dënuar me 26 muaj burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorim detyre për rastin që njihet si “Parku Industrial në Drenas”.

Nexhat Krasniqi ishte ngarkuar edhe për marrje ryshfeti dhe hyrje në nënshkrimin e kontratave të dëmshme. Ky vendim ishte hedhur poshtë në vitin 2016 nga Gjykata e Apelit.

Nexhat Krasniqi ishte kthyer prapë në pozitën e tij brenda Ministrisë së Infrastrukturës si shef i prokurimit pas lirimit nga akuza.

Nexhat Krasniqi nuk mban më pozitën e shefit të Prokurimit në MMPHI