Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu flet për 20 kontratat njëburimore të Ministrisë së Infrastrukturës

Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, ka folur lidhur me kontratat njëburimore të realizuara nga Ministria që ai drejton.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës brenda pak muajve ka lidhur 20 kontrata njëburimore, me procedurë të negociuar, pa tenderë publikë.

Aliu ka thënë se ato nuk janë kontrata, nuk janë me procedurë të negociuar.

“Këto janë vazhdim i kontratave, në ndërtimtari ka punë shtesë, kontrata në këto raste i parashohin 10 % punë shtesë, për punët e paparashikueshme”, ka thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ndërsa sa i përket aneks-kontratës për Aeroportin e Prishtinës, Aliu ka thënë se punët për zgjerimin e pistës është dashur të përfundojnë viti nqë shkoi.

Ai ka thënë se për këtë kontratë do të ketë auditim.

Sipas tij, pas realizimit të kësaj kontrate Kosova pritet të fitojë të drejtën e hapësirës ajrore.

“Përpos zgjatjes së pistës janë edhe pajisje tjera, radarët, pajisjet meteorologjike, të komunikimit, shumë pajisje që hyjnë në të njëjtën projekt, të cilat krijojnë mundësi që aeroplanët të futen jo vetëm përmes Maqedonisë, por edhe përmes Shqipërisë e Malit të Zi dhe të fitohet e drejta e hapësirës së ulët të cilën aktualisht e ka KFOR-i”, ka thënë ai.