Liburn Aliu: Do të rezistojmë paqësisht, protestat s’janë thirrur nga ne

Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo parti është paqësore, prandaj edhe mjetet që do të përdorin për të rezistuar ndaj krijimit të qeverisë së re do të jenë paqësore.

Ai tha se një ndër këto mjete është edhe peticioni që ka organizuar Vetëvendosje që do të jetë online nga data 1 qershor dhe nëpër zyret e Vetëvendosjes në të gjitha qendrat nëpër Kosovë.

“Lëvizja jonë është paqësore dhe veprimet tona do të jetë tërësisht paqësore dhe me mjete sa më legjitime. Pjesë e këtyre veprimeve tona është pikërisht edhe ky peticion, por aktivitetet politike që do të kemi si lëvizje do të njoftoheni në vazhdimësi”.

Aliu në një konferencë për media tha se Vetëvendosje në seancën që do të mbahet për themelimin e qeverisë së re do të jetë kundër. Megjithatë ai nuk zbuloi mënyrën se si do ta shprehin kundërshtimin e tyre.

“Përkrahja qytetare tregon që do të jenë të panevojshme çfarëdo mjeti tjetër, sepse do të jetë vullneti i qytetarëve ai që do të realizojë atë. Ne besojmë shumë te qytetarët dhe te e drejta. Vullneti qytear historikisht nuk ka lejuar që të ketë devijime që e çojnë Kosovën në humnerë. Më i rëndësishëm se çdo veprim tjetër është vullneti qytetar”.

Ndërsa, për mundësinë e organizimit të protestave  Aliu tha se njëherë nuk kanë nevojë për to.

“Edhe pse jemi nën presion nga aktivistët dhe qytetarët, nuk kemi ndonjë organizim konkret. Protestat janë pjesë e Vetëvendosjes, ne si përjashtojmë asnjëherë, por njëherë për njëherë s’ka nevojë për protestë. VV është më komode se kurrë sepse ka legjitimitet dhe mbështetjen e qytetarëve. për ta bërë këtë sepse ka një vetëdije qytetare që është më e vlefshme se çdo gjë tjetër”, tha ai.

Më 28 maj Gjykata Kushtetuese e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të njëjtën ditë Vetëvendosje kishte organizuar “ provë për protestë “ .