Liburn Aliu: Aktakuza ndaj meje ka motiv politik
Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ka folur në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj tij, për kohën kur ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Aliu ka thënë se kjo aktakuzë ka motive politike.
“Aktakuza do të duhej të ngritej po ta kisha dhënë lejen. Unë mendoj që këtu egziston motivi politik, sidomos për faktin se në ditën kur publikohet aktakuza, është momenti kur unë e marr detyrën nga ministri Abrashi”, theksoi ministri.
Aliu ka thënë se në lidhje me këtë ka pasur një takim në Prokurorinë e Shtetit shumë vite më parë dhe është pyetur në lidhje me procedurat e dhënies së lejës.
Ai ka thënë se aktakuza do të duhej të ngritej nëse do të kishte dhënë lejën ndërtimore.
“Kjo mua më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë për këtë punë. Madje nuk ka pasur ndonjë gjasë që të ndodhë e kundërta, jo vetëm në këtë rast, por në qindra raste të refuzimeve të lejeve, kur palët kërkojnë diçka të ndryshme prej planit. Unë zbatoj plan, si drejtor i Urbanizmit unë e kam për detyrë që të zbatojë plane dhe unë atë e kam bërë, kështu e kërkon Ligji dhe unë e kam zbatu Ligjin”, ka deklaruar Aliu.
Në lidhje me dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij, Aliu ka thënë se nuk ndihet aspak fajtor, madje ai ka thënë se ‘ndihem që kam bërë një punë të mirë’, duke lënë të kuptohet se nuk do të japë dorëheqje.