Foto: BIRN

Libri për të pagjeturit nxjerr në pah kujtime tragjike

Një libër i ri, “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, tregon realitetin traumatik të kërkimit të gjatë nga ana e familjeve për njerëzit e tyre të dashur, të cilët u zhdukën dy dekada më parë gjatë luftës në Kosovë.

Zyle Ujkani nga Mitrovica, e cila ka më shumë se 20 vjet që pret për të zbuluar fatin e tre djemve të saj që u zhdukën në prill 1999, është një nga anëtarët e dhjetë familjeve, tregimet e të cilave janë përfshirë në librin e botuar së fundmi të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Libri, botuar nga një OJQ me qendër në Prishtinë, e quajtur Integra, puna e së cilës fokusohet te paqja, pajtimi dhe të drejtat e njeriut, përban tregime të detajuara të 33 personave të zhdukur nga dhjetë familjet, zhdukjet e tyre dhe përpjekjet e mëpasshme ende të pasuksesshme për të përcaktuar vendndodhjet e tyre.

Vëllezërit e Ujkanit janë midis më shumë se 1,600 njerëzve të etnive të ndryshme që rezultojnë ende të zhdukur nga periudha gjatë ose pas luftës së viteve 1998-1999.

Kushtrim Koliqi, kreu i Integra, tha se libri, i cili është botuar në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, tregon agoninë që kanë jetuar familjet.

“Ky është një libër që tregon një histori humbjeje dhe dhimbje zemre për shumë njerëz këtu për të cilët lufta nuk ka mbaruar, pjesë e një dhimbjeje shumë të madhe për ata që janë pas. Këto familje dhe viktimat e dhunës seksuale vazhdojnë të jetojnë me luftën,” tha Koliqi për BIRN.

Koliqi kritikoi politikëbërësit se po e përdorin trashëgiminë e luftës për qëllimet e tyre.

“Politikanët në Kosovë po e përdorin luftën dhe viktimat për interesin e tyre personal. E njëjta gjë ndodh edhe kur vjen puna te personat e zhdukur,” thotë ai.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi ende një politikë, apo politikanë, që e trajtojnë luftën dhe trashëgiminë e saj në një mënyrë të matur, reale dhe të bazuar në fakte,” shtoi ai.

Koliqi e përshkroi diskursin aktual për luftën në Kosovë si “të njëanshëm”.

“Është e nevojshme që e kaluara të dokumentohet dhe të krijohet një rrjedhë mendimi që jo vetëm serbët kryen krime në Kosovë,” tha ai.

Procesi i gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur është penguar nga një atmosferë mohimi, mungese bashkëpunimi dhe ndërhyrje politike, shtoi ai.

Ai u shpreh se libri synon të luftojë “stilin e urrejtjes etnike” që mbizotëron në narrativën e përgjithshëm mbi personat e zhdukur.

“Në lidhje me kujtesën dhe identitetin, ky libër pasqyron pasojat afatgjata të konfliktit. Por ai gjithashtu të bën ta lësh pas të kaluarën, të përpiqesh të bësh paqe dhe të heqësh nga supet barrën e rëndë të luftës,” shtoi ai.