Libri i Ag Apollonit

Libri me histori lufte i Ag Apollonit promovohet në Hagë më 17 shkurt

Dokuromani i Ag Apollonit “Një fije shprese një fije shkrepse”, do të promovohet në Hagë të Holandës, më 17 shkurt në simbolikë të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Libri përmban histori nga lufta e fundit në Kosovë.

Dy protagonistët e librit janë Ferdonije Qerkezi që ka humbur katër djemtë dhe bashkëshortin më 27 mars 1999 dhe Pashke Marku që ka humbur dy djemtë në Masakrën e Mejës më 27 prill të njëjtit vit.

Autori tregoi për KALLXO.com që është ftuar të promovojë librin aty nga  botuesi i veprës dhe Ambasada e Kosovës në Holandë.

“Në Hagë jam ftuar fillimisht nga botuesi holandez i librit tim, z. Richard van den Brink. Pastaj, mora vesh që edhe ambasada jonë në Holandë është treguar e gatshme të bashkëpunojë për organizimin, kështu që kam ftesë të përbashkët, nga botuesi dhe ambasada. Promovimin do ta moderojë përkthyesi i romanit, z. Jan Jansen, i cili është një njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës shqipe dhe i kontekstit politik të Kosovës që nga vitet ’80 deri sot”- bëri të ditur ai.

Libri i Ag Apollonit “Një fije shprese një fije shkrepse”, Foto: Bard Books

Apolloni shprehet se që promovimi do të ketë ndikim për të mirë në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë për shkak të përmbajtjes së librit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së pritet të nisë në muajin prill të këtij viti.

Autori shprehet se duke e ditur se zakonisht romanet me shumë histori e humbin fillin kishte zgjedhur këto në mesin  e shumë historive të nënave që kishin humbur bijtë e tyre, pra klasifikoi këto dy histori të ndryshme me të njëjtën zanafillë tragjike.

“Kur po e shkruaja romanin ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, lexova shumë histori nënash që kishin humbur bijtë e tyre. Kisha dilemat e përzgjedhjes, sigurisht, por duke e ditur që romanet me shumë histori, e humbin fillin, vendosa t’i mbaj vetëm dy fije, me të cilat lidhet fati i të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës dhe, ndoshta, jo vetëm gjatë luftës”- tregoi ai.

Djegien e Pashkës autori pohoi ta nxirrte me mesazhin e pishtarit që duhet tundur para territ të ndërgjegjes dhe Ferdonijën me rolin e përditshëm të ruajtes dhe rezistencës ndaj humbjes së familjes.

“Historia e Ferdonijes ishte shumë e njohur për publikun, por mua më kishte tërhequr vëmendjen edhe historia e Pashkës, për të cilën kisha dëgjuar e lexuar kur isha student dhe për të cilën më vonë pata shkruar edhe një poezi”- thotë autori.

“Historia e kësaj nëne, që nga dhimbja e madhe për të bijtë, e djeg veten, për mua është pishtari që duhet t’ua tundim para syve atyre që, nga terri i ndërgjegjes, nuk shohin tmerrin që ka ndodhur këtu. Kështu, i bëra bashkë dy histori shumë të dhimbshme, dhe mendova se po të shtohej edhe ndonjë histori e këtillë, do të rrezikohej shëndeti i lexuesit. Historitë e tjera janë të nënkuptueshme. Pa dyshim që, për ta shpalosur tragjedinë tonë para botës, duhen bërë edhe shumë romane dhe filma”- tha Apolloni.

Në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-’99 janë vrarë më shumë 13 mijë persona, mbi 800 mijë janë zhvendosur, përderisa të pagjetur janë mbi 1 mijë e 600.

Përmes dy tragjedive autori i librit u shpreh se është fuqizuar anës shpirtërore përballë materiales.

“Mendoj se këto dy gra japin mesazhe të fuqishme dhe të ndryshme: Njëra na tregon se sa e rëndësishme është shpresa dhe sa mund të durojë njeriu, tjetra na tregon se djegia e trupit s’është asgjë përballë djegies së zemrës dhe djegies së shpresës”- tha krijuesi i veprës.

Sipas Apollonit romani bën bashkë absurdin dhe revoltën me qëllim demontimin e të ashtuquajturës “luftë fetare”, që serbët janë munduar të projektonin tek shqiptarët.

“Po, janë histori komplementare. Nëpërmjet këtyre dy historive ky roman bën bashkë absurdin dhe revoltën, dhe demanton pushtuesin që përpiqej ta paraqiste para Perëndimit luftën në Kosovë si luftë fetare. Nëse pajtohemi me synimin e tyre, tragjedia e Mejës, ku u vranë edhe shumë katolikë shqiptarë, e nxjerr humbës pushtuesin ortodoks. Katolicizmi lidhet me Perëndimin, ortodoksizmi me Lindjen”- theksoi ai.

Po ashtu, Apolloni profesor dhe  studiues i letërsisë shqipe tregoi se ngjarjet e viteve të 90-ta janë trajtuar mjaft në poezi, pak në dramë, thuajse aspak në prozë.

Sipas tij letërsia shqiptare në krahasim me perëndimin qëndron shumë më lartë seç qëndron arsimi dhe shteti ynë, por ky nuk do të thotë që është një mendim përfundimtar për atë se ku qëndron letërsia shqipe në relacion me letërsinë botërore, sepse Apollini tregon se diskutimi mbi letërsitë (nacionale) dhe letërsinë (botërore) aktualisht ka marr hov dhe shpreson që kjo të jetë e shëndetshme për letërsitë e vendeve dhe gjuhëve të vogla.

Si profesor në Universitetin e Prishtinës përkatësisht në Fakultetin e Filologjisë, Apolloni tha se “pikërisht fakulteti është duke shkatërruar kritiken letrare”.

“Që nga fillimi i shekullit të kaluar, çerdhe e kritikës letrare kudo ka qenë universiteti. Mirëpo, në Kosovë, që është dalluar për kritikë letrare e ku kritikët kanë dalë zakonisht nga Fakulteti i Filologjisë, universiteti është duke e shkatërruar kritikën.  Profesorët, që janë kritikë dhe formojnë kritikë të rinj, tashmë janë si zogjtë e qyqes, nuk kanë fole”- pohoi ai.

Sipas tij kjo ndodh për arsye që profesorët janë të mbingarkuar me lëndët që ligjërojnë gjë që ulë cilësinë.

“Profesorët janë të stërngarkuar me lëndë (ligjërojnë nga njëzet lëndë, shumica pa dëshirën e tyre), revista e vetme e fakultetit (“Filologji”) ka disa vite që është mbyllur, librat kritikë nuk mbështeten, botohen, as vlerësohen nga universitet”- tha profesori i letërsisë shqipe.