Një shitëse librash rregullon libra në një dyqan të pavarur në Paris. Fotografia: Sarah Meyssonnier/Reuters

Libraritë lulëzojnë ndërkohë që Franca merr vendim për t’u dalë në mbrojtje shitësëve nga kompania Amazon 

Legjislacioni i ri që ka të bëjë me çmimin minimal të porosive synon të ndalojë “konkurrencën e shtrembëruar” kundër librarive të pavarura.

Në librarinë e saj në qytetin e vogël, rural të Puy-en-Velay në Francën jugore, Anne Helman kishte parë një fluks klientësh qysh nga paraqitja e pandemisë së koronavirusit, të cilët preferonin të blinin libra personalisht më parë se t’i blejnë ato përmes internetit.

“Unë asnjëherë nuk kam shitur aq shumë kopje të librit “Murtaja” të Albert Camus,” tha ajo. “Fëmijët donin libra të zhanrit fantazi. Të rriturit donin romane dhe zhanër klasik, veçanërisht histori për viruset dhe apokalipsin. Ka pasur një entuziazëm të ri për të blerë dhe për t’i mbështetur libraritë e pavarura; shihet si diçka e virtytshme për ta bërë”.

Qeveria franceze po e shfrytëzon këtë përkrahje të shtuar për libraritë e pavarura për të vazhduar luftën e saj kundër dominimit të kompanive të mëdha teknologjike. Për t’i dhënë një goditje kompanisë Amazon, legjislacioni i ri në Francë do të përcaktojë një çmim minimal për dërgesat e librave, në mënyrë që të ndalojë atë që qeveria e quan “konkurrencë e shtrembëruar” kundër librarive të pavarura nga gjigantët dixhitalë që shpërndajnë libra për një tarifë prej 0,01 eurosh.

Ministrja franceze e kulturës, Roselyne Bachelot, bëri një apel lutës gjatë njërës prej masave të bllokadës me fjalët: “Mos blini libra nga platformat online!”.

Tani parlamenti francez po i kufizon përparësitë e tregut të gjigantëve neto, të cilat ai shpreson se mund të krijojnë një precedent për vendet e tjera evropiane që kërkojnë të mbrojnë libraritë e vogla. Tarifa minimale e dorëzimit, e cila ende duhet të caktohet në negociata me rregullatorin shtetëror, duhet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Ministrja franceze e kulturës, Roselyne Bachelot, iu lut kombit francez që të mos blinte libra në internet gjatë njërës prej bllokadave të pandemisë. Fotografia: Ludovic Marin/EPA

Miratimi i ligjeve për mbrojtjen e librave dhe tregtisë me libra është një pikë e rrallë e konsensusit politik në Francë, ku debati përndryshe është bërë gjithnjë e më i tensionuar në prag të garës presidenciale të vitit të ardhshëm. Emmanuel Macron e ka shpallur leximin “një prioritet kombëtar”, duke e zgjatur orarin e hapjes për bibliotekat. Vendimi për t’i detyruar kompanitë e mëdha teknologjike që të paguajnë të njëjtën gjë për dërgimin sikurse libraritë e vogla është pjesë e pikëpamjes franceze të “eksistencës kulturore”, i cili prej kohësh ka kërkuar t’i mbrojë librat dhe shitësit e pavarur të librave nga tregu i lirë.

Në kundërshtim me marrëveshjet e tri-për-dy nga Mbretëra e Bashkuar për romanet, shteti francez i rregullon çmimet e librave dhe lexuesit paguajnë të njëjtën gjë për një libër të ri, pavarësisht nëse blejnë në internet, në ndonjë librari të madhe apo në një librari të vogël. Ligji lejon një zbritje maksimale për librat prej vetëm 5%. Ky ligj ka ndihmuar në ruajtjen e 3,500 librarive të pavarura të Francës – më shumë se trefishi i numrit në Mbretërinë e Bashkuar – të cilat gjenerojnë 12,000 vende pune.

Mirëpo, ndërkohë që ligji francez ndalon dërgesat falas të librave, kompania Amazon dhe kompani të tjera të mëdha që shesin në internet e kanë anashkaluar këtë duke tarifuar vetëm një cent për dërgimin e një libri. Libraritë e pavarura, ndërkohë, duhet të paguajnë çmime shumë më të larta postare. “Libraritë lokale zakonisht duhet të paguajnë rreth 6 ose 7 euro për dërgimin e një libri, kështu që kishte një boshllëk të konsiderueshëm,” tha Géraldine Bannier, një deputete centriste e cila e ka bërë prezantimin e ligjit në fjalë në dhomën e ulët të parlamentit. “Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e diversitetit se ku njerëzit mund t’i blejnë librat e tyre. Ka shumë rëndësi për ne”.

Më shumë se 20% e 435 milionë librave të shitur në Francë në vitin 2019 janë blerë online.

Fati i librarive të pavarura franceze gjatë pandemisë ka ndikuar shumë në ligjin e ri. Franca kishte tri bllokada mbarëkombëtare për shkak të pandemisë. Gjatë dy të parave, libraritë mbetën të mbyllura, pavarësisht protestave të shkrimtarëve dhe botuesve. Por gjatë bllokadës së dytë, në nëntor të vitit 2020, qeveria rimbursoi tarifat e dorëzimit për librashitësit e vegjël të pavarur.  Kjo rezultoi në dyqane të vogla që mbanin 70% të biznesit të tyre. “Kjo tregoi se çfarë pengese për biznesin janë kostot e postës për libraritë lokale,” tha senatori djathtist Laure Darcos i cili është pjesë e hartimit të këtij ligji.

Gjatë mbylljes finale të kësaj pranvere, librat u konsideruan si sende me rëndësi dhe libraritë qëndruan të hapura, me një numër historikisht të lartë klientësh që dyndeshin për të blerë libra. Në të gjithë Francën, libraritë e pavarura dëshmuan një rënie nga viti në vit në shitje me vetëm 3.3% në vitin 2020, pavarësisht tre muajve të mbylljes kombëtare.

Kompania Amazon paralajmëroi se legjislacioni i ri që rregullon çmimet e dorëzimit do të “bëhej barrë në fuqinë blerëse të konsumatorëve” dhe do të ndikonte tek lexuesit në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Politikanët francezë argumentuan se njerëzit që blinin libra në internet prireshin të jetonin në qytete të mëdha dhe zona urbane, ndërsa libraritë e pavarura ishin të pranishme në zonat rurale në Francë.

Wilfrid Séjeau, pronari i librarisë së pavarur “Le Cyprès“ në Nevers, Burgundy, tha se ai kishte postuar rreth 70 libra në ditë për klientët gjatë bllokadës së dytë të Francës vitin e kaluar, duke i mbështjellë shumë si dhurata. Kur dyqani i tij u rihap, pati një rritje të dukshme të klientëve nga zona rurale përreth. “Njerëzit e kuptuan se disa gjëra janë të çmuara,” tha ai për lidhjen njerëzore midis një librashitësi dhe një klienti. “Një person mund të blejë shumë libra në Amazon, por gjithashtu kënaqet duke shfletuar në librari të vogla. Njerëzit shpesh ruajnë një libër në shportën e tyre në Amazon sapo të dëgjojnë për të, në mënyrë që të mos harrojnë. Tani ata na thonë: ‘Do të ndaloj së bëri këtë, në vend të kësaj do t’ju dërgoj një listë apo do t’i rezervoj në faqen tuaj’.” Puna në librarinë e tij është rritur dhe ai ka krijuar dy vende pune që nga pandemia në dy libraritë e pavarura që ai i udhëheqe në të njëjtën rrugë, së bashku me një dyqan që shet artikuj shkrimi.

Guillaume Husson nga sindikata e librashitësve francezë, ‘Syndicat de la Librairie Française’, tha se ligji kishte të bënte me ruajtjen e librarive si një vendtakim në qendrat e qyteteve, por edhe mbrojtjen e botuesve. “Libraritë e pavarura nuk shesin të njëjtat gjëra sikurse në pikat e tjera të shitjes – ato kanë më shumë romancierë për herë të parë, botime më sfiduese – që kanë lejuar qindra botues dhe shkrimtarë të ekzistojnë.”

Vincent Chabault, sociolog në Universitetin e Parisit, ishte dëshmitar i shitjeve të mira gjatë pandemisë për librin e tij “Éloge du Magasin: Contre l’Amazonisation” (Elozhe dyqaneve: kundër Amazonizimit). Ai tha se libraritë e vogla të pavarura, të cilat mbetën të brishta, ishin bërë “simbol i rezistencës kundër platformave online dhe Amazonit” duke shtuar: “Një gjë që kemi mësuar nga kriza e Covid-19 është se kapitalizmi dixhital ka përparuar dhe ka nevojë për të ruajtur vendet dhe momente ku mund të jemi bashkë, të pakonektuar dhe jashtë konektimit”

Në librarinë Puy-en-Velay, Le Chat Perché, Helman e vlerëson legjislacionin e ri. Ajo kishte frikë për mbijetesën e dyqanit të saj kur Covid-19 e goditi Francën për herë të parë, mirëpo periudha qershor 2020 – qershor 2021 rezultoi të ishte periudha e saj më fitimprurëse në 23 vitet e fundit.

Ajo shqetësohej se klientët ishin mësuar aq shumë me porositë e shpejta nga gjigantët online, saqë do të ishte një sfidë për ta që të përshtateshin me një ritëm më të ngadaltë të porositjes së librave nga libraritë lokale e të pavaruara. “Njerëzit janë mësuar të porosisin diçka në internet që shfaqet në kutinë postare dy ditë më vonë. Kjo është e vetmja gjë me të cilën do të jetë ende e vështirë të konkurrosh.”

Linku: https://www.theguardian.com/world/2021/nov/01/bookshops-thrive-as-france-moves-to-protect-sellers-from-amazon?