Lezhë, shpërthen cisterna me gaz, 5 të plagosur, në mesin e tyre 2 fëmijë

Pesë qytetarë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi që shërbente për furnizim me gaz të automjeteve.

Rasti, sipas Policisë së Shqipërisë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit.

Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën, njofton Policia e Shtetit.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku Zjarrfikësit bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.

Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit.

Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.