Leze Qena, zëri i gruas kosovare në skenën e teatrit e filmit

Aktorja Leze Qena ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Leze Qena u lind në Prizren më 1 mars 1935. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas në Prishtinë.

Aktorja Qena, jetën e saj ia kushtoi teatrit dhe filmit. Luajti në shumë shfaqje teatrale, filma e seriale televizive. U shqua sidomos në rolet komike.

Së bashku me bashkëshortin e saj, Xhevat Qena, tashmë të ndjerë, Leze Qena për më shumë se 50 vjet i dha teatrit dhe filmit kosovar role brilante, të realizuara mjeshtërisht dhe ikonike.

Ishte njëra prej aktoreve të para që i dha zërin e gruas teatrit kosovar në kohë kur numri i artisteve shqiptare në Kosovës numërohej në gishtërinj.

Deri në viti 1990 ajo u angazhua në shfaqje teatrale, filma e seri televizive, duke përfshirë edhe shfaqje e filma për fëmijë, sikurse: “Ditari i Lec Pazhecit”, “I ikuri”, “Shkolla e fshatit”, etj.

Krijimtaria artistike e Leze Qenës ishte e mbushur me sfida, sidomos pas viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar pas mbylljes nga Serbia të Televizionit të Prishtinës edhe institucioneve kulturore në vend.

Por, edhe gjatë atyre viteve ajo u angazhua në projekte të ndryshme që prodhoheshin nga produksionet kosovare.

Aktorja Qena la pas vetes një karrierë të bujshme artistike, me një varg rolesh, më të njohurat janë rolet e saj në shfaqjen teatrale të Teatrit Kombëtar, “Macja mbi çatinë e nxehtë”, pastaj seritë televizive “Familja moderne”, “Kombinati”, “Çka ka shpija”, etj.

Aktroja Leze Qena ka vdekur sot (25 mars 2020) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë në moshën 85.