Leutrim Retkoceri: Moskryerjen e punëve Shpend Ahmeti e arsyeton me vonesa të procedurave tenderuese

Leutrim Retkoceri, këshilltar nga PDK në Prishtinë, në debatin “Jeta në Komunë” deklaroi se kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, moskryerjen e punëve e arsyeton me vonesa të procedurave tenderuese.

Sipas tij, Ahmetit i mungon vizioni dhe aftësia për të qeverisur me qytetin.

“Qeverisja që e kemi aktualisht që nga viti 2013 është përcjellur nga mungesa e aftësisë për menaxhim, ne e kemi parë premtimin ‘parko dhe udhëto’ ku janë paraparë disa parkingje në hyrje të qytetit por sot nuk kemi të tillë. Nga kryetari marrim përgjigje të njëjta, procedura , vonesa e tendermit, ankesa,” ka thënë Retkoceri.

Ai tutje shtoi se Ahmeti si kryetar duhet të gjejë zgjidhje dhe jo të rrijë duke u ankuar.

 

Me anëtaret e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë diskutuar problemet e kryeqytetit dhe premtimet e pa mbajtura të Shpend Ahmetit.

Të ftuar në debat janë: Shefki Gashi, këshilltar nga LDK, Leonora Shabani Bajraktari, këshilltare nga LVV, Fiknete Bejta, këshilltare e pavarur, Leutrim Retkoceri, këshilltar nga PDK, Egzon Azemi, këshilltar nga LVV dhe Dren Shahini, aktivisht nga qyteti i Prishtinës.