Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Foto: Ibrahim Berisha, Radio Evropa e Lirë
Letra e ministres Gërvalla temë diskutimi në KQZ, debati përfundon pa miratimin e rendit të ditës
Një kërkesë që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ia nisi më 27.11.2024 kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, u bë temë debati mes anëtarëve të KQZ-së.
Në mbledhjen e mbajtur sot, më 02.12.2024, anëtarët e KQZ-së debatuan për letrën e Gërvallës, e cila edhe pse u kërkua që të bëhet publike, prapë nuk u bë.
KALLXO.com siguroi letrën në fjalë, në të cilën kërkohet që të shtohen hapësirat si qendra të votimit në diasporë.
Anëtarët kundërshtuan njëri-tjetrin, e mbledhja përfundoi duke mos u miratuar as rendi i ditës.
Arianit Elshani, anëtar nga Partia Demokratike e Kosovës në KQZ, vlerësoi se nuk ka arsye të mjaftueshme që tani të trajtohet një shkresë e tillë, e cila, sipas tij, nuk ka një arsyeshmëri të bazuar se pse nuk duhet të hapen qendrat e votimit të cilat janë ambasada.
Sipas Elshanit, përfaqësitë diplomatike që ka Kosova në diasporë janë të mjaftueshme për votuesit nga vendet jashtë Kosovës.
“Vetëm 6 mijë qytetarë kanë kërku që me votu fizikisht në ambasada në mbarë botën, shumica e votuesve jashtë vendit kanë zgjedhur që të votojnë me postë” – arsyetoi Elshani mendimin e tij.
Madje, si shembull ai mori qytetin gjerman – Stuttgart, ku tha se është mundësuar votimi fizik për 1,000 persona në ambasadë, kurse të regjistruar deri tash për votim janë vetëm 186 persona.
“Tash a ia vlen KQZ me marrë objekte shtesë që nuk e di a janë të rregulluar me qira apo si” – tha ai.
Madje, Elshani u shpreh se kërkesën e Gërvallës më shumë po e sheh si një letër të një kryetare të një partie politike, sesa një letër që vjen nga ministrja e Punëve të Jashtme.
Këto deklarata të Elshanit më pas u kundërshtuan nga Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili tha se kërkesa është dërguar nga një zëvendëskryeministre e ministre e MPJD-së e jo nga një kryetare e një partie.
Kurteshi tha se nuk pranon asnjë kufizim për procesin e votimit të qytetarëve, prandaj dhe e vlerëson që kërkesa e ministres duhet të diskutohet.
“Unë jam për të gjitha ato raste ku ka nevojë dhe kërkesa për votim fizik jashtë me u leju me u gjetë hapësira” – u shpreh Kurteshi.
“Meqenëse është thirrur mbledhja, unë jam për me diskutu. Përfaqësitë diplomatike s’janë të mjaftueshme, kolegu tha për 1,000 vetë, jo bre nuk janë të mjaftueshme as për 500 vetë, se gjendja është e tillë” – theksoi tutje ai.
Në anën tjetër, Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerësoi se po debatohet për një shkresë që mendon që nuk do duhej të debatohej fare, pasi, sipas tij, kërkesën për hapjen e qendrave të reja të votimeve e bën KQZ-ja e jo një institucion tjetër.
“Kjo shkresë është ndërhyrje direkt në institucionin e pavarur” – tha ai.
Në fund, kryetari i KQZ-së hodhi në miratim rendin e ditës, por me tri vota për, pesë kundër, një abstenim rendi nuk u miratua.