Ilustrim

Letër e hapur Mark Zuckerbergut nga verifikuesit botërorë të fakteve, nëntë vjet më vonë

Derisa Meta ka bërë të ditur se po i jep fund verifikimit të fakteve në Shtetet e Bashkuara, partnerët e programit paralajmërojnë për një prapakthim për saktësinë online dhe pasojat e mundshme botërore.

Nga: Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve- IFCN

I dashuri z. Zuckerberg,

Nëntë vjet më parë, ne ju kemi shkruar për dëmet në botën reale të shkaktuara prej informacionit të rremë në Facebook. Si kundërpërgjigje, Meta krijoi një program për verifikimin e fakteve që ndihmoi mbrojtjen e miliona përdoruesve nga mashtrimet dhe teoritë e konspiracionit.

Këtë javë, ju kumtuat vendimin për t’i dhënë fund këtij programi në Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimeve për “tepër censurë”– një vendim që kërcënon të zhbëjë pothuajse një dekadë të përparimit në promovimin e saktësisë së informacionit online.

Programi që u lansua më 2016 ishte në hap i fuqishëm para në inkurajimin e saktësisë faktike online. I ndihmoi njerëzit të kishin një përvojë pozitive në Facebook, Instagram dhe Threads, duke reduktuar përhapjen e informacioneve të rreme dhe dashakeqe që iu shfaqeshin në “feeds” të ekraneve të tyre. Ne besojmë, dhe të dhënat na japin të drejtë për këtë, se shumica e njerëzve në mediat sociale po kërkojnë informacione të besueshme për t’i marrë vendimet për jetën e tyre dhe për ta pasur ndërveprime të mira me miqtë dhe familjen.

Qëllimi ishte që përdoruesit të informoheshin për informacionet e rreme, që të ngadalësohej përhapja e tyre, pa censuar asgjë. Verifikuesit e fakteve mbështesin fuqimisht lirinë e shprehjes, dhe ne kemi thënë pareshtur dhe zyrtarisht në deklaratën e vitit të kaluar në Sarajevë. Liria për të thënë se diçka nuk është e vërtetë, është gjithashtu liri e shprehjes.

Por, ju deklaroni se programi është kthyer në “mjet censure” dhe se “verifikuesit e fakteve janë mashtruar tepër politikisht dhe më shumë kanë shkatërruar sesa kanë krijuar, sidomos në Shtetet e Bashkuara”. Kjo është e rreme, dhe ne duam ta mbajmë lart standardin, për përmbajtjen e sotme dhe për të dhënat historike.

Meta u kërkoi të gjithë partnerëve verifikues të fakteve të përmbushin standardet e rrepta të paanshmërisë nëpërmjet verifikimit prej Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve. Kjo nënkuptonte se nuk duhet të kishte asnjë lidhje me partitë ose kandidatët politikë, me asnjë politikë avokuese dhe të jepnin zotimin e palëkundur për objektivitet e transparencë. Gjithsecila organizatë mediatike kalon nëpër filtrin e përvitshëm rigoroz të verifikimit, përfshirë vlerësimin e pavarur dhe rishikimin profesional. Pa vënë asnjë pikë dyshimi mbi këto standarde, Meta vazhdimisht ka lartësuar efektivitetin dhe rreptësinë e tyre. Vetëm një vit më parë, Meta zgjeroi programin edhe në Threads.

Komentet tuaja sugjerojnë se verifikuesit e fakteve ishin përgjegjës për censurimin, megjithëse Meta asnjëherë nuk ua dha verifikuesve të fakteve mundësinë ose autoritetin për të zhvendosur përmbajtjen ose llogaritë virtuale. Njerëzit në internet shpesh kanë fajësuar dhe ngacmuar verifikuesit e fakteve për veprimet e Meta-s. Komentet tuaja të fundit pa asnjë fije dyshimi se u kanë fryrë flakëve të atyre perceptimeve. Por, realiteti është se stafi i Meta vendoste sesi t’i etiketonin ose zhvlerësonin përmbajtjet e rreme, të vlerësuara prej verifikuesve të fakteve. Shumë verifikues të fakteve gjatë viteve i kanë sugjeruar Meta sesi do të mund të përmirësonin që ky etiketim mund të jetë më pak ndërhyrës dhe madje të shmangte e që të dukej si censurë, porse Meta asnjëherë nuk veproi sipas atyre sugjerimeve. Pos kësaj, Meta i përjashtoi politikanët dhe kandidatët politikë nga verifikimi i fakteve si masë parandaluese, madje edhe kur ata përhapnin rrena të njohura botërisht. Verifikuesit e fakteve, njëherësh, thanë se postimet e politikanëve duhej të verifikoheshin si të kujtdo tjetër.

Gjatë viteve, Meta ofroi vetëm informacione të kufizuara lidhur me rezultatet e programit, megjithëse verifikuesit e fakteve dhe hulumtuesit e pavarur kërkuan përsëri e përsëri më shumë të dhëna. Por, prej asaj çfarë mund të themi, programi ishte efektiv. Hulumtimi tregoi se etiketimet e verifikimit të fakteve reduktuan bindjen në dhe për ndarjen e informacioneve të rreme. Edhe në dëshminë tuaj personale para Kongresit, ju mbështetët “programin e verifikimit të fakteve të industrisë prijëse” të Meta.

Ju that se plani juaj është për të nisur një program të ngjashëm, titulluar “Community Notes”, me atë të platformës X. Ne nuk besojmë se ky lloj programi do të rezultojë me përvojë pozitive përdoruesish, sikur se ka demonstruar X. Hulumtimi ka treguar se shumë “Community Notes” asnjëherë nuk janë shfaqur, sepse varen prej përhapjes së konsensusit politik në vend të standardeve dhe dëshmisë për saktësi. Edhe kështu, nuk ka asnjë arsye pse “Community Notes” nuk do të mund të bashkëkzistonte me programin e palëve të treta të verifikimit të fakteve; ato nuk e përjashtojunë njëra tjetrën. Një model “Community Notes” që funksionon në bashkëpunim me verifikimin profesional të fakteve do të mund të kishte potencial të madh për promovimin e informacioneve të sakta. Nevoja për këtë është e madhe: Nëse njerëzit besojnë se platformat e mediave sociale janë plot me rrengje e mashtrime, ata nuk do të donin të kalonin kohë kot në to, ose të kishin punë me to.

Kjo na shpie te konteksti politik në Shtetet e Bashkuara. Koha e vendimit tuaj erdhi pas zgjedhjes certifikimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe si pjesë e një kundërpërgjigje më të gjerë nga industria teknologjike ndaj administratës në ardhje. Vet z.Trump ka thënë se vendimi juaj ishte “mbase” si kundërvënie ndaj kërcënimeve që ai kishte shprehur kundër jush. Disa prej gazetarëve që janë pjesë e komunitetit të verifikimit të fakteve kanë përjetuar kërcënime të ngjashme nga qeveritë në vendet ku punojnë, kështu që ne e kuptojmë se sa e vështirë është t’i rezistohet këtij presioni.

Plani për t’i dhënë fund programit të verifikimit të fakteve më 2025 zbatohet vetëm në Shtetet e Bashkuara, tani për tani. Por, Meta ka programe të ngjashme në më shumë se 100 shtete, që të gjithë me shumëllojshmëri, në faza të ndryshme të demokracisë e zhvillimit. Disa prej këtyre vendeve janë fort të cenueshme prej dezinformimit që nxitë destabilitet politik, ndërhyrje në zgjedhje, mobilizon dhunë, madje edhe gjenocid. Nëse Meta ndan mendjen ta ndalë programin anembanë botës, është pothuajse e sigurt se do të rezultojë me dëme në botën reale në shumë vende.

Ky moment spikat domosdoshmërinë për më shumë financim për gazetarinë në shërbim të publikut. Verifikimi i fakteve është thelbësor për ruajtjen e realiteteve të përbashkëta dhe për diskutimet të bazuara në dëshmi, edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe botërisht. Sektori filantrop ka një mundësi të ngritë investimet e veta në gazetari në një kohë kritike si kjo.

Më e rëndësishmja, ne besojmë se vendimi për t’i dhënë fund programit të verifikimit të fakteve nga palët e treta është një hap prapa për ata që dëshirojnë të kenë një internet që parësore e ka informacionin e saktë dhe të besueshëm vërtetësisht. Ne besojmë se disi mund ta arrijmë këtë qëllim në vitet e ardhshme. Mbesim të gatshëm që të bashkëpunojmë me Meta, ose me çfarëdo platforme tjetër teknologjie që është e interesuar për përfshirjen e verifikimit të fakteve si mjet për t’u dhënë njerëzve informacione që u duhen për të marrë vendime të informuara për jetën e tyre të përditshme.

Qasja në të vërtetë shton lirinë e shprehjes, fuqizon bashkësinë që t’i ndërlidhin vendimet përkitazi me vlerat e tyre. Si gazetarë, ne mbesim të palëkundur në zotimin tonë për lirinë e shtypit, duke siguruar se zbardhja e së vërtetës është gur themeltar i demokracisë.

Me respekt,

15min– Lituani

AAP FactCheck– Australi

AFP– Francë

AkhbarMeter Media Obersvatory– Egjipt

Animal Politico-El Sabueso– Meksikë

Annie Lab– Hong Kong SAR

Aos Fatos– Brazil

Beam Reports– Sudan

BOOM– Indi

Check Your Fact– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Chequeado– Argjentinë

Civilnet.am– Armeni

Colombiacheck– Kolumbi

Congo Check– Kongo, Republika Demokratike e Kongos, Republika e Afrikës Qendrore

Doğruluk Payı– Turqi

Dubawa– Niger

Ecuador Chequea– Ekuador 

Ellinika Hoaxes– Greqi

Estadão Verifica– Brazil

FactCheckHub– Nigeria

Fact-Check Cyprus– Qipro

FactCheck.org– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

FactCheckNI– Irlanda Veriore

Factcheck.Vlaanderen– Belgjikë

Factchequeado– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Factly– Indi

FactReview– Greqi

Factnameh– Iran

Faktisk.no– Norvegji

Faktograf– Kroaci

Fakt Yoxla– Azerbajxhan

Fatabyyano– Jordani

Full Fact– Mbretëria e Bashkuar

Greece Fact Check– Greqi

Gëara Media– Ukrainë

Internews Kosova KALLXO– Kosovë

Istinomer– Serbi

Källkritikbyrån– Suedi 

KOMPAS.com– Indonezi

La Silla Vacía– Kolumbi

Lead Stories– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Les Surligneurs– Francë

Lupa– Brazil

Mafindo– Indonezi

Mala Espina– Kili

MediaWise– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Metamorphosis– Maqedoni Veriore

MyGoPen– Tajvan

Myth Detector– Gjeorgji

Neëschecker– Indi

Newtral– Spanjë

Observador– Portugali

Open– Itali

Pagella Politica/ Facta news– Itali

Polígrafo– Portugali

PolitiFact– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Pravda– Poloni

PressOne.PH– Filipine 

Probe– Filipine

Rappler– Filipine

RMIT Lookout– Australi

Snopes– Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Taiwan FactCheck Center– Tajvan

Tech4Peace– Irak

Telugu Post– Indi

The Stage Media-Liberia–  Liberi

Tirto.id– Indonezi

The Journal FactCheck– Irlandë

The Logical Indian– Indi

VERA Files– Filipine

Verify– Siri

Shënim i redaksisë: Organizatat e verifikimit të fakteve vazhdojnë ta nënshkruajnë këtë letër dhe lista po përditësohet me nënshkrimin e tyre.

Nga anglishtja: Rexhep Maloku