Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Lëshohet në punë njësia B1 e KEK-ut dhe ngrohja qendrore për Prishtinë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot në ora 06:40, pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është lëshuar në punë.

Sipas njoftimit të KEK-ut, aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës A (A3,A4 dhe A5) dhe njësia B1 në Kosovën B me kapacitet të prodhimit prej rreth 650 MW/h. energji elektrike.

Si rrjedhojë, sot në mëngjes, në ora 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

“Duke falënderuar punëtorët për angazhimin e vazhdueshëm si dhe palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK vazhdon me përpjekjet maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë ka njoftuar të mërkurën se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Mbrëmë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë që të shmanget edhe rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike.

Kurti në konferencë për media u shpreh se aktualisht dy blloqe të termocentralit “Kosova B” janë  jashtë funksionit.