Lëshimi i Nënstacionit të ri në Ferizaj - Rizvanolli premton se nuk do të ketë më reduktime të ashpra të energjisë elektrike

Nënstacionit elektrik “Kastrioti” në Ferizaj i është prerë shiriti të enjten, më 23.01.2025.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë përurimit të këtij Nënstacioni tha se tani do të marrin fund reduktimet e rrymës – jo vetëm në këtë qytet, por edhe në Komunat përreth.

Reduktime në qytet dhe rrethinë ka pasur edhe pesëmbëdhjetë minuta para Ceremonisë së Inaugurimit të Nënstacionit 110/35/10(20) Ferizaj 3 – “Kastrioti”, që është zhvilluar sot në orën 13:00, afër Fabrikës së Tubave në Ferizaj.

“Ky investim jo vetëm që do të mundësojë furnizim të sigurt dhe të besueshëm për më shumë se 12 mijë konsumatorë të Ferizajit, por gjithashtu do të mbështesë edhe një zhvillim të qëndrueshëm të zonës dhe do të krijojë mundësi të reja për rritjen e sektorëve të ndryshëm ekonomik.” – ka thënë Rizvanolli, duke theksuar më nuk do të ketë reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Ferizaj ka më shumë se një muaj që po përballet me reduktime.

KEDS-i fajësonte mungesën e infrastrukturës, si një prej arsyeve pse rrjeti nuk po përballonte përmbushjen e kërkesës së konsumatorëve.

Reduktime ka pasur edhe mbrëmë, kur Ferizaj mbeti pa energji elektrike, prej orës 17 deri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

KEDS-i ka njoftuar se kjo ndërprerje ishte shkaktuar për shkak të punimeve, që po bëheshin në Nënstacionin Ferizaj 3.

“Goxha kemi vuajt.” – i ka thënë kryetari i Ferizajit, Agim Aliu ministres Rizvanolli, ende pa filluar ceremonia për prerjen e shiritit.

Ndryshe prej Rizvanollit dhe zyrtarëve të lartë të KOSTT-it, Aliut nuk i është dhënë fare fjala në ceremoninë e organizuar nga KOSTT-i, por Aliut iu dhanë një palë gërshërë për t’iu bashkuar prerjes së shiritit me mbishkrimin e KOSTT-it.

Zyrtarët e KOSTT-it kanë bërë të ditur se projekti ka kushtuar rreth 7.8 milionë euro.

“Dhe, efektet e tij pritet që të arrihen në ditët dhe muajt e ardhshëm.” – ka thënë Gëzim Tosuni, kryetar i Bordit të KOSTT-it.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri ka thënë se Nënstacioni Ferizaj 3 është shumë i rëndësishëm për furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve të Ferizajit me energji elektrike.

“Ky Nënstacion i ka pasur sfidat e veta të përfundimit, të cilat në bashkëpunim me të gjitha palët, i kemi tejkaluar.” – ka thënë Zeqiri.

“Ky është projekt strategjik, i realizuar me përkushtim të të gjithë neve dhe shënon një periudhë të re në Komunën e Ferizajt, sepse do të mbështetë qytetarët dhe bizneset në tërësi”.