Lëshimet e Gjykatës së Gjakovës në shpalljen e vendimit për Pjetër Ndrecajn

Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për vrasjen e gruas, Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij, Klara Ndrecaj, doli sot para Gjykatës së Gjakovës, ku për herë të dytë iu shqiptua dënimi për ngjarjen e vitit 2018.

Sot, trupi gjykues në krye me Gëzim Pozhegun si kryetar dha dënim unik me burgim prej 24 vjetësh e 6 muajsh, dënim ky më i ulët se ai që i ishte dhënë  nga Gjykata e Apelit para se rasti të kthehej në rigjykim.

Megjithatë, gjykata, përkatësisht kryetari i trupit gjykues,  Gëzim Pozhegu shkeli Kodin e Procedurës Penale, pasi nuk e arsyetoi aktgjykimin e dhënë siç parashihet me këtë Kod.

 

Pasi gjyqtari jep edhe dënimin me burgim, thekson se do të jap një arsyetim të shkurtër të këtij dënimi, por i njëjti vetëm tregon se si Prokuroria e Gjakovës e ngarkon Ndrecajn me akuzën për vrasje të rëndë dhe pastaj në fund përmend se pas seancave gjyqësore gjykata është bindur se Pjetër Ndrecaj ka kryer veprat penale me të cilat akuzohet.

Ndonëse, citoi  termin rrethanat rënduese dhe lehtësuese i njëjti nuk përmendi asnjërën nga këto rrethana që quan në vrasjen e nënës dhe bijës.

Gjyqtari në arsyetim është dashur të përmend mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe rrethanat që kanë bërë që kjo vrasje të cilësohet si vrasje e rëndë.

Kjo praktikë nuk po ndodh për herë të parë në Gjykatat e Kosovës. KALLXO.com ka raportuar edhe në raste të tjera kur gjykatësit kanë bërë shkelje të ngjashme.

Kodi i Procedurës Penale me nenin  366 par.2 thotë se:

“Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në prani të palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjorë, të përfaqësuesve të autorizuar dhe të mbrojtësve lexon në seancë të hapur dispozitivin dhe shkurtimisht prezanton arsyet e aktgjykimit”, thuhet në kod.

Përveç kësaj, gjyqtari Pozhegu ka shkelur Kodine Procedurës Penale edhe në një pikë tjetër.

Kodi  në nenin 359 par.2  parasheh se aktgjykimi merret dhe shpallet në emër të popullit.

Ndërsa Gjyqtari Pozhegu, hapjen e shpalljes së aktgjykimit e bën në këtë mënyrë:

“ Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit, njëzëri mori dhe kryetari i trupit gjykues sot më 14.09.2020, shpalli këtë aktgjykim, i akuzuari Pjetër Ndrecaj …..” duke cituar dispozitivin e aktgjykimit.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.

Të gjitha lajmet lidhur me këtë proces penal i gjeni në këtë link.