Leposhtica tregon se a po dështon Kosova në luftimin kundër korrupsionit

Shefi i Zyrës Ligjore të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), Labinot Leposhtica, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se ka përpjekje nga institucionet  e Kosovës për ta luftuar korrupsionin por që këto përpjekje nuk pasqyrohen në terren.

“Ka përpjekje prej të gjitha institucioneve që me e fuqizu luftën kundër korrupsionit, por sa po materializohen mandej këto përpjekje kjo është çështje që konsideroj gjetjet tona i pasqyrojnë goxha mirë” – u shpreh Leposhtica.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë marrë një varg veprimesh përpjekje për luftimin në korrupsionit, mirëpo gjendja në terren nuk i pasqyron përpjekjet e këtyre institucioneve.

Një problem tjetër që Leposhitca e përmendi është edhe cilësia e aktakuzave që ngrihen në raste të korrupsionit. Ai thotë se cilësia e këtyre aktakzuave shpeshherë nuk bind.

“Shihet qartazi që prokuroria, në veçanti në këtë drejtim, Prokuroria Speciale e Kosovës si organ i specializuar për hetimin dhe ndjekjen e veprave të korrupsionit të profilit të lartë përkundër që zhvillon operacione, ngre aktkauza, cilësia e këtyre aktakuzave në gjykatë nuk bind” – tha Leposhtica.

Një rast që ai e përmend është ai i gjykimit të një ish-kryetari të një komune në vend. Ai thotë se në fund të këtij rasti ka qenë një aktgjykim lirues, pasi në dosjen e rastit ka munguar prova kryesore.

Leposhtica tregoi se në këtë dosje ka munguar kërkesa e prokurorisë për aplikimin e masave të fshehta.

“Kemi pasur njërin nga rastet ku i akuzuar është ish-kryetari i nje komune të Kosovës me shumë zyrtarë të asaj komune për aktivitete të prokurimit, e që rezulton që në fund kemi pasur një aktgjykim lirues për arsye se ka munguar prova kryesore” – tha ai.

Tutje, Labinot Leposhtica tregoi se mbi këtë dokument që ka munguar ka qenë i bazuar i gjithë hetimi i rastit.

“Në rastin konkret ka qenë urdhëresa, kërkesa e prokurorisë për aplikimin e masave të fshehta. Pra, dokumenti kryesor në bazë të të cilit është bazuar i gjithë hetimi i atij rasti penal, në bazë të të cilit kanë rezultuar hetimet, rezulton se prokurori në fund nuk e ka pasur në dosje” – tha Leposhtica.

Ai shpjegoi se ky rast ka qenë i bartuar nga EULEX në institucionet vendore, por Leposhtica thotë se interesi në këtë rast nuk është ky.

Sipas tij, interesi në një rast të tillë është që rasti në gjykatën kompetente të përfaqësohej nga ana e prokurorit me dosje të kompletuar.

“Realisht deri sot kur po flasim rezulton që dëshmia nuk ka qenë në shkresat e lëndës. Ky ka qenë një rast i bartur nga EULEX tek institucionet vendore, në këtë rast tek Prokuroria Speciale, mirëpo kujt i intereson kjo. Neve na intereson prokurori që e ka përfaqësuar rastin në gjykatë me e pasë dosjen komplet” – tha Leposhtica.

Ai tutje ka treguar se në bazë te informacioneve që kanë, rasti është ende në trajtim.

“Sipas informacioneve që ne i kemi nuk ka pasur ndonjë njoftim për procedurë penale” – tha Leposhtica.

Sipas tij, cilësia e hetimeve të rasteve reflekton pastaj edhe në cilësinë e gjyktimit në tërësi.

Kjo sipas Leposhticës ndodh pasi Kosova ka gjykime në të cilat provat kryesore, të cilat mblidhen gjatë fazës së hetimeve dhe në të cilat mbështetet i gjithë rasti, përjashtohen apo veçohen nga shkresat e lëndës si prova të cilat janë marrë në mënyrë joligjore dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Leposhtica tha se kjo vetvetiu jep epilogun që në fund do të ketë një aktgjykim lirues.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit në gjykata, shefi i Zyrës Ligjore në BIRN tha se sa më i madh të jetë rasti i korrupsionit, konsideron që edhe gjetjet janë pak më alarmuese.

Një rast që ai e përmendi është ai i “Veteranëve”, për të cilin Leposhtica tregoi se është kthyer në rigjykim.

“Nëse marrim shembull njërin nga rastet në të cilin, të paktën sipas prokurorisë dëmi financiar është shumë i madh, rastin “Veteranët”, ku supozohet që në baza mujore shkaktohen dëme financiare shumë të mëdha. E kemi një aktgjykim lirues në vitin e kaluar, të cilin e ka ankimuar Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata e Apelit e ka gjetur të bazuar ankesën e prokurorisë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore” – tha Leposhtica.

Ai tutje tregoi se në këtë rast janë gjetur një varg me gabime procedurale në trajtimin e provave, çka ka çuar deri në kthimin e rastit në rigjykim.

Për këtë rast, Leposhtica tregon se nga momenti kur është kthyer në rigjykim, në prill të 2022-ës e deri më sot nuk është mbajtur as edhe një seancë gjyqësore.

Një veprim i tillë, sipas udhëheqësist të Zyrës Ligjore në BIRN ka ndodhur edhe përkundër faktit që Kosova ka një dokument strategjik të KGJK-së ku qartazi kërkohet që këto raste të kenë prioritet absolut.