Leposhtica: Prokuroria Speciale nuk u thellua në hetime për të zbuluar financuesit e personave që shkuan në Siri e Irak

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për problemet në hetime në rastet e ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit në Kosovë.

Udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN, Labinot Leposhtica, ka thënë së përkundër trajtimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nga institucionet e drejtësisë mbetet mister financimi i personave që shkuan në Irak e Siri.

Ai ka thënë se nuk ka thellim të mëtutjeshëm nga Prokuroria Speciale për të zbuluar financuesit e personave që kanë përfunduar në Siri dhe Irak.

“Shpeshherë kufizohemi vetëm në atë se personi i rikthyer apo personi i zënë në Aeroportin “Adem Jashari” rrugës për në Siri dhe Irak, mjafton me ardhë deri në gjykatë me pranu fajësinë. Nuk kemi një thellim të mëtutjeshëm nga organet e ndjekjes, Prokurorisë Speciale në këtë rast, për me i zbulu financuesit, rekrutuesit, të tërë rrjetin që qëndron prapa personave që kanë përfunduar në luftërat e Sirisë dhe Irakut” – ka thënë ai.

Tutje Leposhtica ka thënë se nuk ka pasur koordinim të mirëfilltë të institucioneve për të zbuluar gjurmët e financuesve për këto raste.

“Nuk kemi pasë asnjëherë një koordinim të mirëfilltë të Inteligjencës Financiare me Policinë dhe Prokurorinë që më u ra në gjurmë financuesve dhe asaj se nga vijnë paratë të cilat pastaj po përfundojnë në instancë të fundit të pjesëmarrësit” – ka shtuar tutje udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN.

Sipas Leposhticës, kjo mund të konsiderohet një rrezik afatgjatë.

Ai thotë se nga të dhënat e gjykimeve të këtyre rasteve janë më pak se pesë të dënuar për rekrutim.

“Nëse i shikojmë të dhënat nga gjykimet e rasteve ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në Kosovë rezulton që i kemi më pak se pesë persona, për më qenë më i saktë janë vetëm tre persona të dënuar për rekrutim në veprat penale terroriste” – ka thënë tutje ai.

Leposhtica ka thënë se ka mbetur pa u zbuluar pjesa tjetër e organizmit – financimi i personave që kanë arritur në luftërat atje.

“E gjithë pjesa e tjetër që janë mbi 100 që kanë marrë pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut duhet ta kenë pasur një rrjet të tërë të organizmit, financimit, transportimit e deri në fushëbetejë në Siri dhe Irak e kjo ka mbetur e pa zbuluar”- ka thënë ai.

Sipas tij, kjo rrezikon që në rast se hapet ndonjë vatër tjetër e konfliktit, këta persona të aktivizohen prapë dhe të kenë rol negativ në implikimin e të rinjve kosovarë.