Leposhtica: Lloji i sanksioneve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale në Kosovë lë për të dëshiruar

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për ngecjet në rehabilitimin e të burgosurve. Një prej temave është edhe për rastet kur personat e dënuar apo të burgosur përfundojnë si recidivistë.

Në lidhje me këtë temë, Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN-it ka thënë se ka mangësi në procedimin e këtyre rasteve.

“Nëse e shikojmë krejt hallkën e sistemit të drejtësisë e shohim që ka mangësi në procedimin e këtyre rasteve…. Edhe shembuj që evidentohen nga monitorimi jonë i sistemit të drejtësisë ku evidentohen se persona të caktuar shumë herë i nënshtrohen krejt ciklit të sistemit të drejtësisë shpeshherë edhe deri në Gjykatën Kushtetuese dhe prapë përfundojnë në vuajtje të dënimit, atëherë me siguri diku e kemi një problem goxha serioz” – ka thënë Leposhtica.

Sipas tij, lloji i sanksioneve penale që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave të ndryshme në Kosovë lë për të dëshiruar.

“Konsideroj që si pikënisje këtu duhet të evidentojmë politikën ndëshkimore te këto raste. Konsideroj që lartësia, por në veçanti lloji i sanksioneve penale që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave të ndryshme në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar, sepse nuk shqiptohen sanksionet penale adekuate” – ka thënë ai.

“Konsideroj se që këtu krejt ky misioni i risocializimit dhe riintegrimit merr një goditje goxha serioze dhe dëmtohet në mënyrë të pariparueshme, sepse në momentin që për një vepër goxha të rëndë penale nuk shqiptohet sanksioni adekuat, atëherë përpos ndikimit negativ që ka me pasë direkt tek kryerësi i veprës penale, kjo plasohet dhe te kryerësit tjerë potencial” – ka vijuar Leposhtica.