Leposaviq, vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se bashkë më drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën, dhe pjesëtarë të tjerë policor, kanë vendosur gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor, tek Ura e Bistricës në Leposaviq.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky objekt modern, do të jetë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovë, për të cilët thotë se po shërbejnë prej gati dy vitesh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit dhe për sigurinë e përgjithshme të Republikës.
“Nga 1 zyre që kemi gjetur në dispozicion të ruajtjes së kufirit me Serbinë sot kemi 9 nënstacione me policë të përkushtuar e në shërbim të Republikës sonë. Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”- ka shkruar Sveçla, sot më 23.11.2024.