FOTO: Policia e Kosovës.

Leposaviq, Policia parandalon kontrabandë të pakove me mish derri, deleje dhe çokollatave

Policia Kufitare e Kosovës ka parandaluar sot dy raste të kalimit ilegal të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me mallra në fshatin Koshuticë të komunës së Leposaviqit ku janë gjetur dhe konfiskuar katër paketa me mish derri e deleje dhe 150 paketa me çokollata-Snikers.

Sipas komunikatës për media, njëri rast ka ndodhur në ora 7:30 në mëngjes ku Policia ka ndaluar një Golf me ngjyrë të bardhë, i cili sipër kishte të vendosur firmën TAXI.

Sipas Policisë, ky automjet i cili drejtohej nga një burrë 61 vjeçar dyshohej se kishte lëvizur nga territori i Serbisë për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës duke përdorur rrugën e cila nuk është e autorizuar për kalim kufitar.

Ndërkaq, gjatë kontrollimit të automjetit, në bagazh nën ulëset e pasme dhe nën ulësen  e pasagjerit janë gjetur katër paketa me mish derri dhe deleje.

“Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit  i cili ka urdhëruar që në procedurë të rregullt të iniciohet rasti për “Kontrabandim me mallera” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”” – është thënë në njoftimin e Policisë.

Tutje, është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, automjeti dhe malli janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme ligjore.

FOTO: Policia e Kosovës.
FOTO: Policia e Kosovës.
FOTO: Policia e Kosovës.
FOTO: Policia e Kosovës.

Ndërkaq, Policia ka njoftuar se rasti i dytë ka ndodhur po ashtu në Koshuticë të Leposaviqit rreth orës 10:25.

Gjatë kësaj kohe është ndaluar një automjet i tipit Mercedes, ngjyrë  hiri, që drejtohej nga një burrë  46 vjeçar i cili dyshohet se kishte shfrytëzuar rrugën e cila nuk është e autorizuar për kalim kufitar dhe kishte hyrë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollimit të automjetit në bagazh, në ulëse të pasme dhe në ulëse tjera janë gjet 150 paketa me çokollata-Snikers.

FOTO: Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, lidhur me rastin është  kontaktuar Prokurori i Shtetit  i cila ka urdheruar që të inicohet rastet në procedurë të rregullt për “Kontrabandim me mallra” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”.

“Automjeti dhe malli janë sekuestruar dhe dërgohen në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme ligjore”-është thënë në njoftimin  e Policisë.