Leonardo Di Caprio: Lajm i mirë nga Shqipëria, lumi Vjosa mund të shpëtohet nga Hidrocentralet

Aktori me famë botërore, Leonardo Di Caprio i është gëzuar lajmit se Lumi ‘Vjosa’ mund të shpëtojë nga futja në diga të hidrocentraleve.

Ai ka publikuar një foto të lumit ‘Vjosa’ ku aktivistët bënin thirrje me mesazhin “Vjosa, jo diga”.

Di Caprio ka shkruar se një lajm i mirë vjen nga Shqipëria pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se zona do kthehet në park kombëtar, kurse kryeministrit të Bosnjës dhe Hercegovinës i bëri thirrje të ndërmarrë hapat e duhur ligjor për të mbrojtur lumenjtë.

 

Lumi Vjosa në Shqipëri – Foto: Facebook/LumiVjosa

Më poshtë keni mesazhin e plotë të aktorit:

Derisa presim që kryeministri dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrë hapat ligjor për të mbrojtur lumenjtë e ‘Zemrës së kaltër’ të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme shumë premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve.

Më 25 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se projekti i digës në Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar. Parku Kombëtar i lumit Vjosa do të bëhej vendi më i madh i Evropës për ruajtjen e lumenjve që mbulon qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra e mijëra specie, si ngjala e Evropës, në rrezik global dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi.

Kjo do ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër. Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të zemrës së kaltër të Ballkanit.