Foto: Kallxo.com

Lëndohet skiatori pas përplasjes me motor-sajë në Brezovicë, autoambulanca nuk mbërrin në vendin e ngjarjes

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se sot në Brezovicë është lënduar një skiator pasi i njëjti është përplasur me një motor-sajë.

Skiatori ka goditur motor-sajën që ka qenë duke lëvizur brenda shtigjeve të skijimit, dhe si rezultat është lënduar në disa pjesë të trupit.

“Anëtarët tanë nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës fatmirësisht kanë qëlluar afër vendaksidentit dhe kanë reaguar menjëherë duke i ofruar ndihmën e parë viktimës”, thuhet në njoftim.

Në mungesë dhe vonesë të ekipeve mjekësore emergjente në qendrën e skijimit, dhe bllokim të rrugës nga kaosi i parkimit të automjeteve, Shërbimi i Kërkim-Shpërtimit Malor njofton se nuk ka mundur të mbërrijë autoambulanca në vendin e ngjarjes.

Evakuimi i viktimës drejt Spitalit të Ferizajt është bërë nga anëtarët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me ndihmën e qytetarëve lokale.

Pas ekzaminimeve mjëkësore gjendja e të aksidentuarit është stabile dhe vazhdon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore.

“Sipas rregullores së qendrës skitare të Brezovicës, dhe rregullave ndërkombëtare për shtigjet e skijimit, është rreptësisht e ndaluar lëvizja e motor-sajave apo çfarëdo lloji tjetër i mjeteve të motorizuara në shtigje të skijimit, përveç mjeteve të shërbimeve emergjente dhe autoriteteve të tjera zyrtare, të cilët doemos gjatë lëvizjes duhet të posedojnë shenja lajmëruese rotative dhe lajmërim akustik”, thuhet në njoftimin e këtij Shërbimi.

Ata kanë apeluar te institucionet e rendit dhe personat përgjegjës, që të marrin masa për ndalimin e mjeteve të tilla motorike në shtigje të skijimit dhe hapësira turistike ku ka lëvizje të vizitorëve, ndryshe sipas tyre evitimi i ndonjë aksidenti që mund të ketë edhe përmasa tragjike është i paevitueshëm.

“Lëvizja e motor-sajave në qendrën skitare të Brezovicës kohëve të fundit është në trend, dhe momentalisht janë më qindra motor-saja që paraqesin rrezik për skitarët dhe vizitorët, jo radhëhere ndodhin edhe aksidente të ndryshme”, përfundon njoftimi.

Foto: Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor