Lëndohen dy nxënës në Fushë Kosovë nga dritarja e shkollës

Dy nxënës të klasës së shtatë të shkollës “Zejnel Salihu” në fshatin Bardh të Fushë Kosovës dje janë lënduar, pasi që gjatë procesit mësimor ka rënë dritarja e klasës mbi ta.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani, duke shtuar se rasti ka ndodhur rreth orës 12:00 dhe se nxënësit janë dërguar për tretman në QKUK.

“Po. Dje paradite në orën e Biologjisë në klasën e shtatë në atë shkollë gjatë orës së mësimit ka rrëshqit një dritare prej vendit dhe ju ka rënë dy nxënësve gjatë orës së mësimit, papritmas aksidentalisht i ka lëndu pak dy nxënësit Drejtori i ka dërgu në QKUK atje janë fotografu dhe doktori ju ka thënë që nuk kanë lëndime serioze dhe janë kthyer në shtëpi sipas njoftimit të drejtorit të shkollës”, tha Shabani.

Ai theksoi shkolla aktualisht është duke rinovuar, por mohoi se rënia e dritares është pasojë e saj.

“Kushtet e klasës i kemi shikuar po momentalisht ajo shkollë është duke u rinovuar, fasada po bëhet jashtë objektit por nuk kanë qenë në pyetje dritaret sepse fasada bëhet jashtë. Por mekanizmi s’ka qenë i shtrëngum, frymë s’ka pas”, tha Shabani.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë po ashtu tha se përgjegjësinë për këtë rast e mban ai dhe drejtori i kësaj shkolle.

“Përgjegjësinë e mbanë drejtori i shkollës me drejtorinë e arsimit po tash aksident ka ndodh çka me bë ne, s’kemi pas dëshirë po ka ndodhë.  Që të mos ndodhin më raste të tilla i kam marrë masat që të shikohen të gjitha dritaret, t’i kyçin mirë dhe të shohim çka ka nevoje më bë ende në atë shkollë”, ka shtuar Shabani.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në QKUK për të marrë sqarime rreth kësaj çështje dhe është duke pritur përgjigje.