Lëndohen 19 policë në Tiranë, 60 tifozë janë arrestuar

Policia e Shteti në Shqipëri ka bërë të ditur se mbrëmë janë lënduar 19 policë pas përleshjes mes grupeve të tifozëve që kanë shkuar për të mbështetur ekipin e Romës dhe Feyenoordit në Tiranë.

“Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndihmë mjekësore kanë pranuar edhe 10 shtetas, nga të cilët pesë shtetas shqiptarë, tre italianë dhe dy holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Policia bënë të ditur se janë arrestuar 60 tifozë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë.

“Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se “Sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit”.

 

Pamje nga përplasja e tifozëve holandezë dhe italianë në Tiranë