Lëndimi i policëve, Sveçla: Shkaqet e aksidentit po hetohen
Mbrëmë, më 13.12.2024 në fshatin Grabovc të Zveçanit, tetë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë lënduar kur automjeti i blinduar në të cilin gjendeshin ka dalë nga rruga.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për rastin ku ka njoftuar se ka vizituar policët e lënduar.
“Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre” – thuhet në një postim të Sveçlës në Facebook.
“Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë. Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë. Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional” – thuhet tutje në njoftim..
Detaje për rastin ka dhënë edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Policia jep detaje për lëndimin e tetë policëve në Grabovc të Zveçanit