Lëndimi i policëve, Sindikata e Policisë kërkon urgjentisht mbulimin shëndetësor

Sindikata e Policisë së Kosovës, duke i’u uruar shërim të shpejt policëve të aksidentuar mbrëmë (13.12.2024), u ka bërë thirrje urgjente akterëve shtetëror për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës. 

“Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët”- thuhet në komunikatën e lëshuar sot më 14.12.2024. 

Kjo kërkesë e tyre vie pas vetaksidentit në fshatin Grabovc të Zveçani ku tetë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë lënduar kur automjeti i blinduar në të cilin gjendeshin ka dalë nga rruga.

Sipas tyre, ngjarjet e tilla që po përsëriten shpesh, theksojnë mumgesën e një mbulimi të duhur shëndetësor për policët e vendit. 

Nga Sindikata e Policisë thonë se sigurimi i mbështetjes së plotë shëndetësore për policët është urgjente dhe e domosdoshme, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për garantimin e efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Siç shkruhet në komunikatën e tyre, çështja e sigurimit shëndetësor për policët është ngritur prej kohësh, por se der më tani institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje konkrete. 

“Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të angazhohet për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të saj, duke kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që t’i japin kësaj çështjeje prioritetin që meriton”- shkruhet ndër të tjera në komunikatën e Sindikatës së Policisë së Kosovës. 

Disa policë mbetën të lënduar si pasojë e një vetaksidenti me një mjet të blinduar të Policisë në fshatin Grabovc, në Veri të Kosovës.Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

“Rreth orës 20.00, në fshatin Grabovc të Zveçanit, ka ndodhur një vetaksident ku është involvuar një mjet i blinduar i Policisë dhe disa policë. Ka të lënduar, por gjendja e tyre është stabile – sipas mjekëve”– tha Elshani.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për rastin ku ka njoftuar se ka vizituar policët e lënduar.“Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre” – thuhet në një postim të Sveçlës në Facebook.

“Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë. Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë. Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional”– thuhet tutje në njoftim.

Lëndimi i policëve, Sveçla: Shkaqet e aksidentit po hetohen

Detaje për rastin ka dhënë edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Policia jep detaje për lëndimin e tetë policëve në Grabovc të Zveçanit