Foto: KALLXO,com

Lëndimet që pësuan fëmijët nga dhuna që dyshohet se u përdor nga nëna e tyre

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur dje në komunën e Ferizajt.

Policia e Kosovës e ka arrestuar një grua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të saj të mitur.

Si pasojë e dhunës fëmijët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Ferizajt për trajtim.

Një infermiere e këtij spitali, e cila ka dashur të mbetet anonim, ka thënë për KALLXO.com se dy të miturit kishin shenja të skuqjes në pjesën e qafës dhe njëri prej tyre kishte probleme me njërin sy.

Dyshohet se dëmtimet në sy i janë shkaktuar nga dhuna fizike.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Sipas Gashit fëmijët aktualisht janë në strehimore ndërsa nëna është në mbajtje për 48 orë.

“Fëmijët janë në strehimore i kanë marre punëtorët e mirëqenies sociale dhe për momentin janë aty deri nesër. Prokurori nesër i interviston dhe masat tjera i ka prokurori. Nëna është 48 orë në mbajtje”, tha Gashi.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Ferizajt, Abetare Kurti- Maliqi por e njëjta nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.