'Lëmshi' që krijoi përjashtimi dhe rikthimi i shefit të tenderëve në Komunën e Skenderajt

Rikthimi i një zyrtari që humbi statusin e shërbyesit civil në kohën e qeverisjes së Bekim Jasharit, është një ndër vendimet e para që Fadil Nura mori kur doli në zyrë pasi fitoi mandatin si kryetar i Skenderajt në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. 

Në shkurt të vitit 2018, Komuna e Skenderajt në krye me Bekim Jasharin kishte vendosur që ta dërgojë Haxhi Bejtën, në komision disiplinor nën arsyetimin se i njëjti nuk po lajmërohej në punë, pasi ia kishin ndryshuar pozitën brenda Komunës.

Paraprakisht, Jashari e kishte zhvendosur Haxhi Bejtën nga shef i Zyrës së Prokurimit në zyrtar për trashëgimi në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, për shkak të mungesave në punë në pozitën e re, Haxhi Bejta u dërgua në komision disiplinor. Ndaj tij ky komision shqiptoi vërejte me shkrim.

Gjithashtu, pas vendimit të komisionit disiplinor, Jashari kishte nxjerrë vendimin me të cilin ka bërë pezullimin parandalues me pagesë 50% deri në 3 muaj në pagë.

Kundër vendimit të komisionit disiplinor dhe kundër vendimit të Bekim Jasharit, në mars të vitit 2018, Haxhi Bejta ka parashtruar ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Komunës së Skenderajt.

Ky Komision kishte aprovuar ankesën dhe anuluar vendimet paraprake dhe e ka kthyer rastin e Haxhi Bejtës në rishqyrtim te komisioni disiplinor.

Por i pakënaqur nga moszbatimi i vendimit të Komisionit të Ankesave, Bejta iu drejtua Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimin Civil (KPMSHC). Edhe ky Këshill vendosi në favor të tij duke e obliguar Komunën që t’i kthejë mbrapsht vendimet që mori kundër Bejtës.

“Obligohet kryetari Bekim Jashari që të bëjë zbatimin e këtij vendim brenda afatit 15 ditësh që nga dita e pranimit të këtij vendimi, duke e kthyer Haxhi Bejtën në vendin e tij të punës sipas aktemërimit të datës 27.04.2012 me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen nga marrëdhënia e punës dhe duke bërë kompensimin e pagës nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në këtë vendim.

Bekim Jashari nuk e përfilli këtë vendim, por pasi Haxhi Bejta po vazhdonte duke mos u paraqitur në punë, e dërgoi sërish në komision disiplinor në vitin 2019.

Komisioni disiplinor vendosi edhe një herë kundër tij duke ia humbur plotësisht statutin e shërbyesit civil. Kjo duke u bazuar në Ligjin për shërbyesit civilë, neni 66 pika 4.3, që thotë se komisioni disiplinor pas vendimit për shkelje të rëndë ka të drejtë që të shqiptojë masë disiplinore – ndërprerje të marrëdhënies së punës në Shërbimin Civil.

Arsyetimi i tyre ishte se nga data 15 shkurt 2019 deri më 16 prill 2019, Haxhi Bejta nuk kishte dalë në punë. Ndërkaq, sipas Ligjit për zyrtarët publikë, shkelje e rëndë konsiderohet “braktisja e punës ose mungesa e paarsyeshme dhe e vijueshme për 5 ditë pune apo më shumë”.

“Pas shqyrtimit të lëndës, Komisioni në fjalë sipas provave të raporteve të hyrje-daljeve nga Zyra e Personelit z.Haxhi Bejta nuk është lajmëruar në punë prej datës 15.02.2019 gjerë më sot. Andaj në bazë të rregullores për procedura disiplinore, mosinformim dhe mungesa e paarsyeshme për dy ditë punë të njëpasnjëshme cilësohet Shkelje e Rëndë – serioze të Kodit të Mirësjelljes për nëpunësin Haxhi Bejta – zyrtar për trashëgimi në drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport”, thuhet në vendimin që KALLXO.com ka siguruar.         

Por qeverisja e re që erdhi pas zgjedhjeve lokale të 2021-ës, e rikthyen Haxhi Bejtën në shef të tenderëve të Komunës së Skenderajt. Kjo është konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e Komunës së Skenderajt. 

Sipas tyre, vendimi i transferit të Haxhi Bejtës në zyrtar për trashëgimi përbën shkelje të Ligjit të shërbyesit civilë.

“Me këtë veprim është shkelur neni 28 paragrafi 3, nënparagrafi 3.4 i ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe rregullorës nr. 06/2010 për transferimin e nënpunësve civil, pasi sipas atij vendimi z. Bejta është degraduar nga kategoria funksionale udhëheqës në kategorinë funksionale profesionale, gjë e cila përbën shkelje të nenit 28 të ligjit për shërbyesit civil”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt. 

Neni 28, paragrafi 3, pika 3.4 thotë se “nëpunësi civil, me pëlqimin e tij/saj dhe në marrëveshje me punëdhënësin, mund t’i nënshtrohen transferimit të përkohshëm në detyra të tjera me qëllim të dërgimit në detyrë të veçantë në një organizatë ndërkombëtare, ndërmarrje publike ose në cilëndo organizatë tjetër publike, për të cilën nevojiten aftësi dhe përvojë e caktuar profesionale”.

Gjithashtu sipas tyre, pas vendimit të KPMShC të datës 26 dhjetor 2018 ka ardhur kundërligjshëm vendimi tjetër i komisionit disiplinor.

“Pas vendimit të KPMSHC të datës 26 dhjetor 2018, pason vendimi i kundërligjshëm i datës 15.02.2019 për transferim të z. Bejta dhe pastaj vendimi i komisionit disiplinor. Pas këtij vendimi të këtij komisioni disiplinor për shkak të skadimit të mandatit të KPMShC, lënda është bartur në gjykatë për trajtim të mëtejshëm”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e zyrës për media të Komunës së Skenderajt.

KALLXO.com ka provuar që edhe përmes zyrtarit Haxhi Bejta të marrë një sqarim sa i përket rastit të tij, por i njëjti ka refuzuar të deklarohet duke shtuar vetëm se nuk kanë bërë asnjë hap jashta kornizave ligjore.

 “Nuk je në ngjarje, ka dokumente aq shumë që s’mundesh m’i ra fije. Unë i di obligimet e mia, e di ku kanë gabu ata e krejt çka kanë ba. Anën ligjore shumë mirë e dimë. Asnjë hap jashta anës ligjore nuk e kemi ba”, u përgjigj Bejta duke mos dashur që të vazhdojë të prononcohet më tej. 

Ndikimi i Haxhi Bejtës në raportet Jashari-Lushtaku

Një prej vendimeve që Sami Lushtakut nuk i pëlqyen nga njeriu të cilin e kishte përkrahur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jasharit, ishte pikërisht vendimi që Haxhi Bejta nuk qëndroi në vendin ku e lanë kur u larguan nga pushteti në vitin 2017. 

Ish-kryetari Jashari në emisionin “Kallxo Përnime” në muajin nëntor rrëfeu se si tashmë nënkryetari i Komunës, Sami Lushtaku e kishte lutur që “mos t’ia nguc njerëzit e tij“, e në këtë mes hyn edhe Haxhi Bejta.

Madje sipas Jasharit, Lushtaku ishte lënduar goxha shumë nga ky vendim.

“Është lëndu goxha shumë pse unë e kam largu, apo në fakt e ka largu ai vetëveten, ish-shefin e Prokurimit. Ka shku në komision disiplinor, komisioni e ka largu. U mundu me bë ankesë në gjykatë, por i ka humb. Ai nuk e ka respektu orarin, nuk u ardhë në punë. Unë pastaj ia kam ndërru vendin e punës, sepse ma lejon ligji, por ai s’ka dashtë me ardhë më në punë”, ka thënë Jashari duke aluduar në Haxhi Bejtën. 

Për këtë çështje, kryetari Fadil Nura pasi mori drejtimin e Komunës së Skenderajt, ishte pyetur edhe në intervistën në KALLXOPërnime në muajin nëntor 2021.

“E ka fitu rastin në Këshill të Pavarur, janë vendimet, nuk i kanë zbatu”, kishte thënë Nura teksa po përmendte disa vendime të Bekim Jasharit që i konsideronte të jashtëligjshme.

Në anën tjetër, pas vendosjes së Haxhi Bejtës në krye të Zyrës së Prokurimit, Bekim Jashari reagoi duke e quajtur vendim të jashtëligjshëm.

“Fadil Nura bëri vendimin e parë të jashtëligjshëm duke e kthyer në vendin e punës ish drejtorin e Prokurimit, Haxhi Bejta, i cili nga viti 2019 kishte humbur statusin e shërbyesit civil, dhe kështu nuk ishte pjesë e stafit të komunës. I njejti ditën që mori mandatin e kryetarit Fadil Nura, ai menjeherë kishte shkuar në zyre të prokurimit në menyrë të jashtëligjshme. Zyrtarin në fjalë qytetarët e Skenderajt e njohin dhe e dijnë se për çfarë është kthyer jashtëligjshëm në prokurim dhe me çfarë do të merret ai”, thuhet në reagimin e Bekim Jasharit të datës 24 dhjetor 2021.

Asamblistët e Bekim Jasharit ushtruan kallëzim penal ndaj kryetarit Fadil Nura pikërisht për rikthimin e Haxhi Bejtës në shef të Zyrës së Prokurimit.

“Lista e Pavarur Bekim Jashari, duke besuar në institucionet tona të drejtësisë të ndertuar me shumë mund e sakrificë, kërkon që kjo padi të trajtohet me kohë dhe gjithnjë sipas ligjit”, thuhet në komunikatën e 29 dhjetorit 2021.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’