Lëmshi me votat jashtë Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas ekspertëve të BE-së

Problemet me votimin jashtë Kosovës e kanë zvogëluar besimin e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ka konstatuar Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në Kosovë.

KALLXO.com e ka siguruar raportin e këtij misioni, i cili ende nuk është publik.

Sipas këtij misioni, periudha e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës u ndikua negativisht nga afati i shkurtër kohor dhe në të njëjtën kohë kishte afërisht tri herë më shumë aplikantë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Tutje thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ishte në gjendje të shqyrtojë të gjitha 130 mijë e 168 aplikacionet në kohën e duhur, kryesisht për shkak të krijimit të procesit të ri verifikimit të aplikantëve përmes thirrjeve telefonike.

“Prandaj, ndryshe nga lista e rregullt e votuesve, lista e votuesve jashtë Kosovës nuk ishte në dispozicion për kontroll publik gjatë periudhës së konfirmimit dhe kundërshtimit më 25-27 janar”.

“Lista përfundimtare e votuesve jashtë Kosovës, e cila përmbante 102,100 votues, u përpilua dhe u certifikuara nga KQZ më 2 shkurt. Aplikantët e refuzuar kishin vetëm një ditë për të parashtruar ankesë ndaj rezultateve të procesit të regjistrimit të votave jashtë Kosovës, i cili kufizoi të drejtën e tyre për mjete juridike efektive”, thuhet mes tjerash në raport.

Sipas ekspertëve të BE-së, në përgjithësi, rreth 56 mijë e 600 vota postare u përfshinë në rezultate, që përfaqësojnë më shumë se 6% të të gjitha votave.

“KQZ pranoi vetëm zarfet postarë që mbërritën në Kosovë brenda afatit më 12 shkurt; rreth 9,000 paketa postare mbërritën në KQZ pas përfundimit të afatit. Arsyeja kryesore e dhënë për refuzimin e votave jashtë Kosovës, ishte fakti që votuesit e mundshëm nuk ishin regjistruar me sukses, ndërsa votimi në grup ishte gjithashtu një problem i madh”.

Mosrespektimi i masave kundër pandemisë gjatë fushatës, rinumërimi i votave për shkak të mospërputhjeve, gjatë procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ishin edhe disa nga mangësitë që i ka evidentuar Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve i BE-së në Kosovë në këtë raport.

Pas caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021, BE-ja dërgoi një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve të përbërë nga tre ekspertë të cilët mbërritën në Kosovë më 21 janar.

Qëllimi i tyre ishte mbledhja dhe analizimi i informacionit faktik, vlerësimi dhe raportimi për procesin zgjedhor kundrejt zotimeve, standardeve dhe praktikave të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti duke marrë mbi 50 për qind të votave të qytetarëve.

Raporti i ekspertëve të BE-së, telashet që i karakterizuan zgjedhjet e 14 shkurtit 

Kosova këtë vit do të organizojë edhe një palë zgjedhje, ato lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.