'Lëkundja' e radhës në bastionin e PDK-së

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci do të përballet me një raund të dytë përballë ish-partiakut të tij, Driton Ajazin nga iniciativa qytetare “Demokratët për Drenasin”.

Qyteti që dikur është parë si bastion i panegociueshëm i PDK-së, në 3 palë zgjedhjet e fundit në këtë qytet, ka shkuar dy herë në balotazh.

Si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci ka garuar për herë të parë në vitin 2016. Ato ishin zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë komunë pas dorëheqjes së Nexhat Demakut për shkak të aktakuzës së ngritur.

Demaku për disa vite rresht ishte konsideruar i pakonkurrencë në Drenas.

Në ato zgjedhje, Lladrovci e dërgoi për herë të parë Drenasin në balotazh. Përballë kishte Isa Xhemajlaj nga NISMA Socialdemokrate.

Asokohe, në 2016 ky subjekt politik kishte përkrahje të konsiderueshme nga qytetarët duke u ndërlidhur me faktin se njeriu i dytë më i rëndësishëm në NISMA, Jakup Krasniqi vjen nga komuna e Drenasit.

Lladrovci mori 45,34% ose 9 mijë e 458 vota, kurse Xhemajlaj fitoi 26,19% ose 5 mijë e 462 sosh.

Edhe pesë vite mbrapa, zgjedhjet lokale në Drenas të 2021-es nuk ishin të lehta për Partinë Demokratike të Kosovës. Lladrovci ka shkuar në balotazh me ish-partiakut e tij, Driton Ajazin nga “Demokratët për Drenasin”.

Këto janë zgjedhjet e para për Driton Ajazin. Ai fillimisht kishte synuar që garës t’i hyjë nën petkun e PDK-së pasi që i përkiste këtij subjekti. Madje ai ishte edhe i nominuar nga dega e PDK-së në Drenas.

Por nominimi i tij nga dega lokale hasi në vështirësi me Prishtinën. Qendra nuk e përkrahu vendimin e degës së PDK-së në Drenas.

Kryesia qendrore e PDK-së në Prishtinë ishte e bindur – “Kryetarët aktual të komunave nga PDK, do të jenë kandidat përsëri”.

Ramiz Lladrovci nuk e ka asnjë funksion në degën e PDK-së dhe që si rrjedhojë marrëdhëniet e Lladrovci me bashkë partiakët e tij në Drenas, ishin mjaftë të tensionuara.

Ajazi pasi nuk mori “aminin” nga eprorët e tij, themeloi iniciativën e tij qytetare të quajtur “Demokratët për Drenasin”.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Ajazi arriti 30,74% ose 6 mijë e 829 sosh, kurse Lladrovci mori 45,62 për qind të votave ose 10.134 sosh.

Raundi i dytë, mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë, apo, në këtë rast, më 14 nëntor.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të organizojë raundin e dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.