Leku shqiptar pëson rënie të ndjeshme pas krizës ndërkombëtare

Kriza e shkaktuar nga agresioni i Putinit kundër Ukrainës duket se po reflektohet në tregun shqiptar me rritje dramatike çmimesh dhe me dobësim të konsiderueshëm të lekut përkundrejt euros dhe dollarit amerikan.

Leku shqiptar humbi 1.2% të vlerës kundrejt euros dhe 3% kundrejt dollarit amerikan në një lëvizje të shpejtë dhe të pazakontë, besohet për shkak të krizës ndërkombëtare të shkaktuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

Mesditën e së hënës, euro u këmbye me 124.6 lekë, niveli më i lartë i regjistruar që nga prilli i vitit 2020 kur një periudhë tjetër trazirash e shkaktuar nga bllokimi i linjave ajrore për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri solli një nënçmim të shkurtër të lekut përkundrejt valutave.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës që nisi më 24 shkurt u pasua me bllokadë ekonomike të gjerë nga bota demokratike përkundrejt Rusisë, gjë që solli rënie të bursave dhe rritje të çmimeve të lëndëve të para, veçanërisht grurë dhe energji, në të cilat, Rusia dhe Ukraina janë aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë. Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar arriti ditët e fundit në 140 dollarë për fuçi ndësa në Shqipëri çmimi u rrit në rreth 240 lekë për litër.

Në tregun ndërkombëtar, euro pësoi rënie përkundrejt dollarit dhe frangës zvicerane, gjë që u reflektua pjesërisht në kursin e këmbimit të euros me lekun.

Dollari amerikan kushtoi 115.2 lekë të hënën, gati 10 lekë më shtrenjtë se sa para luftës.

Leku shqiptar ka njohur vetëm forcim të vazhdueshëm përgjatë viteve të fundit, dyshohet për shkak të flukseve financiare të aktiviteteve të paligjshme të grupeve kriminale shqiptare në Evropë. Pesë vjet më parë, euro kushtonte 140 lekë.

Nënçmimi aktual pritet të shkaktojë rritje çmimesh, veçanërisht në disa mallra kyçë që blihen me dollarë, të tilla si nafta apo gruri.